Letra që Viktor Hygo i kushtoi njeriut…

Të uroj…
Pikë së pari, të uroj dashuri. Dhe duke dashur, uroj të të duan.
Por, nëse kjo nuk ndodh, atëherë tregohu i shkathët për të harruar. Dhe pasi të kesh harruar, uroj të mos pendohesh. Uroj vërtetë që kjo mos të të ndodhë, por nëse ndodh dhe ti harron, shpresoj të mos zhytesh në dëshpërim. Të uroj të kesh shumë miq. Edhe nëse ata janë të këqinj ose të parëndësishëm.
Uroj të kesh miq të guximshëm dhe të vërtetë. Dhe uroj që një prej tyre të jetë më i besueshmi. Por sepse jeta është në këtë mënyrë që është, të uroj armiq. As shumë, por as pak. Një numër i ndërmjetëm, që të të bëjë të pyesësh veten për të vërtetat dhe siguritë e tua. Le të jetë mes tyre, njëri që do jetë i drejtë, që të mos ndihesh kurrë i sigurtë në idetë e tua.
Uroj të jesh i dobishëm, por jo i pazëvendësueshëm. Edhe në momentet e tua më të vështira, kur të mos kesh asgjë, ajo dobishmëri të të mbajë në këmbë. Në proporcion me të, të uroj të jesh tolerant. Jo me ata që bëjnë gabime të vogla, sepse kjo është shumë e thjeshtë, por me ata që bëjnë gabime të mëdha, të cilat nuk mund të zhbëhen.
Përdore mirë tolerancën, që të bëhesh shembull për të tjerët. Uroj që kur të jesh i ri, të mos rritesh shpejt. Dhe atëherë kur të jesh rritur, mos këmbëngul të jesh sërish i vogël. Kur të plakesh, mos u dëshpëro. Sepse çdo moshë ka kënaqësitë dhe dhembjet e veta dhe ne kemi nevojë për të dyja këto, në jetë. Gjithashtu, uroj të jesh i mërzitur, të paktën një ditë. Kështu në atë ditë do kuptosh se të qeshësh çdo ditë është mirë, të qeshësh shpesh është e mërzitshme dhe të qeshësh vazhdimisht është çmenduri.
Uroj që të zbulosh me shumë shpejtësi nga ajo që thashë më sipër, se në botë ka njerëz që nuk janë të lumtur, janë në depresion, apo të trajtuar keq. Të uroj të përkëdhelësh një qen, të ushqesh një zog e të dëgjosh cicërimën e tij, që ndihet në mënyrë triumfuese çdo mëngjes. Sepse në këtë mënyrë, do ndihesh mirë, pa arsye.
Pastaj, uroj të ujisësh një farë, sado e vogël qoftë ajo. Të jesh dëshmitar i rritjes së saj, që të shohësh se sa jetë jeton një pemë. Të uroj gjithashtu, të kesh pará, sepse duhet të jemi praktikë. Të paktën, një herë në vit, t’i vendosësh përpara teje e të thuash “Këto janë të miat.”. Kështu, do kuptohet se kush zotëron kë. Uroj që asnjë nga të dashurit e tu të mos vdesë. Por nëse disa prej tyre vdesin, uroj të qash pa pendesë dhe pa u ndjerë në faj për fjalët që kurrë nuk ua the apo gjërat që kurrë nuk i bëre për ta.
Së fundmi, nëse je burrë, të uroj një grua të mirë përkrah e nëse je grua, të uroj një burrë të mirë. Ta doni njëri-tjetrin, nesër dhe ditën pas të nesërmes. Kur të dy, të jeni të lodhur e të buzëqeshur, uroj të keni sërish dashuri për t’ia nisur ditës tjetër, nga fillimi. Nëse të ndodhin të gjitha këto, atëherë nuk të uroj asgjë më tepër se kaq.
Viktor Hygo

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here