Taraneh Alidoosti, 38 vjeç, u arrestua për “publikim të përmbajtjes së rreme dhe të shtrembëruar për nxitje të kaosit” në protestat kundër hixhabit.
Ajo njihet më së shumti për rolin e saj në filmin fitues të Oskarit të vitit 2016 “The Salesman”.
Irani arrestoi aktoren e njohur të shtunën pasi ajo shprehu mbështetje për lëvizjen e protestës tre mujore të shkaktuar nga vdekja e një gruaje në paraburgim.
Postimi më i fundit i Alidoostit në rrjetet sociale ishte më 8 dhjetor, në të njëjtën ditë që Mohsen Shekari, 23 vjeç, u bë personi i parë i ekzekutuar nga autoritetet gjatë protestave.
“Heshtja juaj do të thotë mbështetje ndaj shtypjes dhe shtypësit”, lexohet në një imazh të shpërndarë në llogarinë e saj në Instagram.
Çdo organizatë ndërkombëtare që po shikon këtë gjakderdhje dhe nuk merr masa, është një turp për njerëzimin”, ka shkruar Alidoosti në mbishkrimin e postimit të saj.
Aktorja ka qenë një prani e spikatur në kinemanë iraniane që kur ishte adoleshente. Së fundmi ajo ka luajtur në filmin “Leila’s Brothers”, i cili u shfaq në Festivalin e Filmit në Kanë të këtij viti.
Republika Islamike është tronditur nga protestat e shkaktuara nga vdekja më 16 shtator e Mahsa Amini, një 22-vjeçareje iraniane me origjinë kurde, pas arrestimit të saj për një shkelje të dyshuar të kodit të veshjes së vendit.
Ditën e vdekjes së Aminit, Alidoosti ka postuar një foto në Instagram ku shkruante: “Mallkim për këtë robëri”.
Në mbishkrimin e postimit shkruhej: “Mos harroni atë që kalojnë gratë e Iranit” dhe u kërkoi njerëzve “të thonë emrin e saj, të përhapin fjalën”.
Më 9 nëntor, ajo postoi një imazh të saj pa shami, duke mbajtur në dorë një letër ku shkruhej “Gruaja, jeta, liria”, slogani kryesor i protestave.
Menjëherë pas ekzekutimit të Shekarit, Irani vari publikisht protestuesin Majidreza Rahnavard, 23 vjeç, më 12 dhjetor.
Nëntë persona të tjerë të arrestuar në lidhje me trazirat janë dënuar me vdekje.
Mijëra njerëz janë arrestuar që nga shpërthimi i protestave dhe 400 janë dënuar me 10 vjet burg për përfshirjen e tyre në trazira, nga gjyqësori i Iranit.