17 gushti- Në kujtim të atij që dha gjakun për gjuhën shqipe

Petro Nini Luarasi (22 prill 1865 – 17 gusht 1911)

 

Edhe 99 herë të rrëzohemi,

përsëri duhet të ngrihemi!

“Çdo popull ka të drejtë të falet në gjuhën e vet:

Edhe Krishti në na thëntë

 

Unë jam grek, eni pas meje,

Do t’i themi pa mblidh mëntë,

Se shqiptari s’vjen pas teje…”

Petro Nini Luarasi

Petro Nini Luarasi lindi në vitin 1865. Studimet i kreu në shkollën greke të Qestoratit e Hotovës në Lunxhëri të Gjirokastrës. Në Qestorat, në shtëpinë e mikut të babait, patriotit të shquar Koto Hoxhi, ai mësoi shkrim e këndim në shqip dhe u edukua me kulturë e atdhedashuri.

Më 1883, filloi punë si mësues i greqishtes në shkollën e Bezhanit. Atje ai filloi t’u mësonte nxënësve shqip. Veprimtarinë e tij të gjerë e zhvilloi në Kolonjë e Korçë, ku krahas lidhjeve miqësore patriotike, shkaktoi armiqësi të madhe me zyrtarët turq, klerin shovinist e bashkëpunëtorët e tyre.

Për këtë arsye u mallkua dhe u shkishërua familjarisht nga dy dhespotë të Kosturit: më 1887, nga Qirilli dhe më 1892, nga Fillareti.

“…I mallkuari dhe i shkishëruari Petro Luarasi, në bashkëpunim me propagandën protestante e masone, ka shkuar në fshatra të ndryshme të rrethit të Kolonjës, duke u premtuar emërimin e mësuesve shqiptarë për mësimin e shqipes, një gjuhë e cila nuk ekziston… Ata përhapin Dhiatën e Re, emisarë dhe libra të tjerë që janë kundër fesë sonë të shenjtë dhe që nëna e jonë, Kisha e madhe e Krishtit, ka kohë që i ka shkishëruar dhe djegur në turrën e druve… Shpallim se kushdo që ndikohet nga i mallkuari Petro Luarasi dhe shokët e tij, ose pranon mësues shqiptarë, do të shkishërohet nga i madhi Zot, do të marrë mallkimin e etërve të kishës, do ta zerë lebra e Gehazit dhe trupi i tij do të mbetet i patretur dhe do të përdhoset pas vdekjes…!”

Këto ishin fjalët e Fillaretit, dhespotit të Kosturit, më 20 shtator 1892, në mallkimin e tij për Petro Nini Luarasin.

Kësaj propagande shoviniste, Petro Nini Luarasi iu përgjegj në veprën “Mallkimi i shkronjave shqipe e çpërfolja e shqiptarit”, në të cilën pasqyroheshin dokumenta konkretë mbi abuzimet që bëheshin në emër të fesë.

“E vërteta bën fenë, dhe jo feja të vërtetën… Ta dashurojmë dhe ta përparojmë gjuhën dhe kombin tonë, si të vetmet tallanta që na besoi Perëndia për provë të vlerës sonë midis kombeve të tjerë… Kush është frikacak kundrejt së drejtës, bëhet tradhëtar i mëmëdheut dhe i vetes së tij” (P. N. Luarasi: Mallkimi i shkronjave shqipe…).

 

Mesuesi i Shkolles Shqipe – Petro Nini Luarasi

 

Kjo vepër bëri që fundi i tij të ishte tragjik. Ai u helmua nga qarqet fetare shoviniste. Kjo vdekje bëri një jehonë të madhe në botë. Disa gazeta shqiptare, angleze e amerikane shkruan për të.

Me futjen e psallmeve shqip në kishën e Luarasit në bashkëpunim me papa Stefan Luarasin ai debatoi edhe me Dhespotin e Korçës, Grigorin. Në lidhjet e tij me rrethet patriotike dhe zbatimin e platformës kombëtare, P. N. Luarasi bashkëpunoi me parinë bektashiane – moderatorë të myslimanizmit dhe me protestantët anglo-amerikanë, përfaqësuesi shqiptar i të cilëve qe Gjerasim Qiriazi. Mbi bazën e këtyre idealeve kombëtare familjet Luarasi dhe Qiriazi u lidhën në një miqësi shekullore, duke iu gjendur njëri-tjetrit në momente të vështira.

Në prill 1904, P. N. Luarasi arratiset nga burgu ku ishte mbyllur nga qeveria turke dhe u strehua në Shtetet e Bashkuara, si emigrant politik. Në Sh.B.A. Petro Nini Luarasi zhvillon një aktivitet të gjerë. Krijoi shoqëritë e para patriotike shqiptaro-amerikane: “Pellazgu” dhe “Malli i Mëmëdheut”, ndihmoi Sotir Pecin për botimin e gazetës “Kombi” dhe Fan Nolin që të kurorëzohej prift e të hidhte themelet për krijimin e kishës autoqefale shqiptare në Sh.B.A., themeloi librarinë e parë me libra shqip e anglisht, bashkëpunoi ngushtë me Kristo Dakon, lider i protestantëve shqiptarë në Sh.B.A., për të futur frymën kombëtare midis emigrantëve ekonomikë, të cilët ishin të tërhequr e të frikësuar nga reaksioni shovinist mbi familjet në atdhe. Petro Nini Luarasi përçoi kudo tezën: “Kombi mbi të gjitha!”.

 

Shoqëria “Malli i Mëmëdheut”, 1905 Amerikë,

në mes Petro Nini Luarasi

 

Më 1908, u kthye në Shqipëri së bashku me disa miq e farefis, për të luftuar si komitë për çlirim. Në atë kohë u shpall Hyrieti e ai filloi veprimtarinë patriotike legale duke u lidhur ngushtë me misionarët protestantë amerikanë, e çiftin Kenedi.

Vdes i helmuar në 17 gusht të vitit 1911, nga armiqtë e kombit. Por fjala e tij u përjetësua në vepër: “Ruamani gjakun, se do të duhet për shkrimin e gjuhës shqipe… Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi!”

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here