Ato janë një domosdoshmëri për të udhëtuar nëpër botë, por disa prej tyre nuk ofrojnë aq shumë destinacione sa të tjerat.
Për shumë destinacione në mbarë botën, një pasaportë është një kërkesë bazë për udhëtim. Megjithatë, disa pasaporta të shumë vendeve nuk ofrojnë një numër të madh destinacionesh. Sipas një raporti të ri tremujor të publikuar nga kompania konsulente për shtetësi dhe qëndrim në Londër Henley & Partners, tre pasaporta aziatike u ofrojnë mbajtësve të tyre më shumë liri udhëtimi globale se ato të çdo vendi tjetër.
Japonia kaloi përpara Singaporit dhe Koresë së Jugut për t’u ofruar qytetarëve të saj akses pa viza ose me kërkesë në një rekord prej 193 destinacionesh në mbarë botën, krahasuar me 192 për dy vendet e tjera, sipas CNN.
Treshja ndiqet nga disa vende evropiane, përfshirë edhe Greqinë e cila ndan vendin e 8-të me Australinë, Kanadanë, Çekinë dhe Maltën. Vihet re se vendet e mësipërme japin akses në 185 destinacione nëpërmjet pasaportave të tyre.
Gjermania dhe Spanja renditen në vendin e tretë me 190 destinacione, të ndjekura nga Finlanda, Italia dhe Luksemburgu me 189.
Austria, Danimarka, Holanda dhe Suedia ndajnë vendin e pestë, ndërsa Franca, Irlanda, Portugalia dhe Mbretëria e Bashkuar janë në vendin e gjashtë. Zelanda e Re dhe Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 7-të, krahas Belgjikës, Norvegjisë dhe Zvicrës.
Pasaportat më të këqija
Shtetasit afganë janë sërish në pozitën më të keqe pasi mund të udhëtojnë në vetëm 27 vende pa vizë.
Për shkak të pushtimit të Ukrainës, mbajtësit e pasaportave ruse janë më të shkëputur nga pjesa tjetër e botës se kurrë më parë. Indeksi nuk merr parasysh kufizimet e përkohshme apo mbylljet e hapësirës ajrore, kështu që ndërsa pasaporta ruse aktualisht renditet e 50-ta në sondazh (me akses në 119 destinacione), realiteti është se qytetarët rusë janë efektivisht të bllokuar nga shumë destinacione.
Pasaportat më të mira Korrik 2022
- Japoni (193 destinacione)
- Singapor, Koreja e Jugut (192 destinacione)
- Gjermani, Spanjë (190 destinacione)
- Finlandë, Itali, Luksemburg (189 destinacione)
- Austri, Danimarkë, Holandë, Suedi (188 destinacione)
- Francë, Irlandë, Portugali, Mbretëria e Bashkuar (187 destinacione)
- Belgjika, Zelanda e Re, Norvegjia, Zvicra, Shtetet e Bashkuara (186 destinacione)
- Australi, Kanada, Republika Çeke, Greqi, Maltë (185 destinacione)
- Hungaria (183 destinacione)
- Lituani, Poloni, Sllovaki (182 destinacione).
Pasaportat më të këqija Korrik 2022
- Koreja e Veriut (40 destinacione)
- Nepal, territoret palestineze (38 destinacione)
- Somali (35 destinacione)
- Jemeni (34 destinacione)
- Pakistan (32 destinacione)
- Siri (30 destinacione)
- Irak (29 destinacione)
- Afganistan (27 destinacione)