Thriller politik në Itali: Mattarella nuk pranoi dorëheqjen e Draghit

Zhvillime të reja në Italinë fqinje, ku ankthi po arrin kulmin për krizën politike që ka shpërthyer në vend. Presidenti italian Sergio Mattarella nuk e pranoi dorëheqjen e Mario Draghit dhe tashmë pritet votëbesimi i ri nga parlamenti.

Vetë ai, kryeministri italian është rikthyer në Pallatin Kardinal për t’i njoftuar zyrtarisht Presidentit të Republikës, Sergio Mattarella, vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen mbrëmjen e sotme. Kësaj i parapriu njoftimi i Draghit për kabinetin e tij.

Megjithatë, presidenti italian nuk e ka pranuar dorëheqjen dhe ka kërkuar që Mario Draghi të dalë para Kuvendit, në mënyrë që të vërtetohet nëse ai ka besimin e Kuvendit.

Pas këtij zhvillimi, të mërkurën e ardhshme Draghi do të ndërhyjë në Kuvend dhe Senat dhe më pas pritet që të mbahet sërish procedura për votëbesimin.

Draghi: “Sonte jap dorëheqjen”

Më herët, kryeministri italian i tha kabinetit të tij se do të japë dorëheqjen sonte.

“Dua t’ju njoftoj se sonte do t’i paraqes dorëheqjen presidentit të Republikës. Votat e sotme në parlament janë një ngjarje shumë e rëndësishme në zhvillimet politike.

Marrëdhënia e besimit që përbën bazën e veprimit qeveritar nuk ekziston më. Shumica e unitetit kombëtar që e mbështeti këtë qeveri që në ditën e parë të krijimit të saj nuk ekziston më.

Gjatë këtyre ditëve kam bërë përpjekjet maksimale për të vazhduar rrugën e përbashkët, duke u përpjekur të plotësoj kërkesat që më janë bërë nga forcat politike. Por nga debati politik dhe nga votimi i sotëm në Kuvend është e qartë se kjo përpjekje nuk ka mjaftuar”, theksoi Mario Draghi.

Ai nënvizoi se do të vazhdonte si kryeministër “vetëm nëse do të ekzistonte perspektiva e zbatimit të programit të qeverisë” për të cilin kishte marrë votëbesimin fillestar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here