Ambasadorja Kim në ceremoninë e Pavarësisë së SHBA-së: Ajo që bashkon SHBA me Shqipërinë është shpresa

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka postuar sot në faqen zyrtare fjalimin e plotë të ambasadores Yuri Kim mbi marrëdhënien Shqipëri-SHBA, të mbajtur në ceremoninë e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, mbrëmjen e djeshme, ku ndër të tjera thekson marrëdhënien e ngushtë mes dy vendeve në luftën për pavarësi, sovranitet e demokraci të konsoliduar. Ambasadorja shprehet se ajo që bashkon SHBA-në me Shqipërinë është shpresa.

“Përvjetori i njëqindvjetorit tonë dhe ditëlindja jonë e 246-të janë një kohë për të festuar, pasi së bashku kemi arritur kaq shumë. Por janë edhe një kohë për të reflektuar dhe për të shprehur ripërkushtimin ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj aspiratave tona si demokraci.

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria ndajnë shumë gjëra por një gjë që e kemi të përbashkët është shpresa. Shpresa në luftën tonë për pavarësi dhe sovranitet dhe përpjekjen tonë të paepur për të ndërtuar demokracinë. Amerikanët dhe shqiptarët kanë duruar zgjedhën e shtypjes – si nënshtetas të kolonive apo perandorisë, dhe shqiptarët, sërish, si viktima të diktaturës. Dhe të dy palët kemi kërkuar dhe fituar lirinë.

Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara fillon me fjalët: “Ne, Populli i Shteteve të Bashkuara, me qëllim formimin e një bashkimi më të përsosur…”

Nuk ka fjalë më të famshme apo më me vend që të përshkruajnë se kush jemi ne dhe cilët duam të jemi si komb. Kushtetuta jonë fillon me pranimin se pushteti buron nga “Ne, Populli” dhe se jemi “Ne, Populli” që shpallim synimin tonë “për të formuar një bashkim më të përsosur”.

Për mua, është një shprehje e përsosur e ambicies demokratike: amerikanët nuk janë subjekte të një monarku apo diktatori, ne nuk jemi në pritje të urdhërave; ne nuk jemi thjesht spektatorë të ngjarjeve që shpalosen para syve tanë pasivë. Ne populli, populli amerikan, kemi këmbëngulur që në çastet e para si komb që duhet të jetojmë në mënyrë veprore, jo pësore, duke marrë përgjegjësi për veten dhe duke kërkuar llogari nga udhëheqësit që zgjedhim.

Demokracia nuk është një dhuratë që jepet nga zemërgjerësia ose merret me përulësi. Ky është një çmim i gjallë që “Ne, Populli” fituam në betejën e vështirë për pavarësi – qoftë në Shtetet e Bashkuara në vitin 1776 apo në Shqipëri në vitin 1912. Dhe “Ne, Populli”, si ai amerikan ashtu edhe ai shqiptar, mbetemi të ngarkuar me detyrën për të çmuar, ruajtur, mbrojtur dhe forcuar demokracinë tonë jo vetëm për vetveten, por edhe për ata që vijnë pas nesh. Ajo kërkon që të vazhdojmë të jetojmë historinë dhe të bëjmë historinë tonë në formën veprore dhe jo pësore.

Teksa mendojmë për 100-vjetorin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri këtë vit dhe 30-vjetorin e përfundimit të komunizmit, le t’i kujtojmë njëri-tjetrit rolin dhe përgjegjësinë solemne që të gjithë ne këtu kemi për të çmuar, ruajtur, mbrojtur, forcuar, dhe bashkëndarë demokracinë – demokracinë për të cilën secili nga popujt tanë – amerikanë dhe shqiptarë – kanë luftuar aq shumë.

Unë shpresoj se do të vazhdojmë ta nxisim njëri tjetrin për ta kapur historinë, për ta jetuar dhe për t’i dhënë formë historisë sonë në mënyrën veprore – në Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëri.

Dhe në mbyllje të fjalës sime, dëshiroj t’ia kaloj stafetën atyre  të cilët vërtetë e jetojnë historinë në mënyrë veprore, duke përfaqësuar të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri.”

 

 

 

 

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here