Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës u vendos se një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, këngëtarit të grupit të famshëm ‘West Side Family’.
Sheshi që do të mbajë emrin e këngëtarit të ndjerë ndodhet pranë stadiumit “Dinamo” në kryeqytet.
Kryetari i Bashkisë nënvizoi kontributin e Dr.Florit në jetën artistike të kryeqytetit.
“Kemi marrë një propozim nga Njësia Administrative 5, për të emërtuar një shesh tek rruga “Sulejman Delvina”, zona e Tiranës së Re, ngjitur me stadiumin “Dinamo”, me emrin e Dr. Florit. Aty kemi edhe një kënd lojërash. Dr. Flori ka lindur në qytetin e Beratit dhe në jetën e tij të shkurtër, ka pasur një kontribut shumë të madh, sidomos në muzikë, në sferën artistike të qytetit, me grupin e tij të famshëm West Side Family. Kënga e tij “Tirona” ka qenë një himn i atyre viteve. “ tha ndër të tjera Erion Veliaj.