Në një ditë si sot dhe pikërisht më 24 mars 1923 në Shkodër u lind Gjon Shllaku, seminarist dhe përkthyes i klasikëve helenë, latinë, francezë. La të shkruara disa drama dhe fjalorë të greqishtes dhe latinishtes.
Tri klasët e para të fillores i kreu në kolegjën françeskane, ndërsa klasën e katërt dhe të pestë në shkollën shtetërore tek “Dugajtë e reja”.
Nga 24 shtatori 1935 deri më 9 dhjetor 1945 studjoi në Seminarin Papnor duke bërë edhe vitet e larta të teologjisë dhe filozofisë, studjoi për pesë vjet greqishten e lashtë, dhe për tetë vjet latinishten. Filozofia dhe teologjia jepeshin në latinishte, si gjuha e klerit që ishte. Nuk jepej gjuhë tjetër ndërkohë. Si student lexoi klasikët e antikitetit helen Sofokliun, Eskilin dhe Euripidin.
Filloi të shkruante me pseudonimin Lyricus. Më 9 dhjetor 1946 ra në burg, ishte në 23 vjeç. U dënua me burgim të përjetshëm (101 vjet) fillimisht si anëtar i grupit të “Bashkimit shqiptar”, si përfundim bëri 12 vjet në burgun e Burrelit dhe të Myzeqesë. Në burg u njoh me Peshkopin Visarion Xhuvani, me të cilin thelloi njohuritë në greqishten e vjetër, prej të cilës përktheu pjesë nga Bibla – Apostujt dhe Shenjtorët. Pati hasur edhe në një antologji të veprës së Homerit, të cilën e përktheu. Në burg nxuri greqishten e re, spanjishten dhe anglishten. Pas daljes nga burgu më 1957 punoi te ndërmarrja Zukth-Kashta në Shkodër si llogaritar-normist deri në pensionim. Pas rënjes së regjimit gëzoi njohjen e duhur të mundit, dhe vdes pak muaj mbasi mbushi të tetëdhjetat.
Një ndër mjeshtrat e këtij zanati, përktheu pjesë nga “De rerum natura” e Lukrecit dhe nga “Eneida” e Virgjilit kur ishte ende në Seminar. Në moshën 16 vjeçare përktheu të plotë “Gjeorgjikat” e Virgjilit.
17 vjeç përkthen Ben Hur-in e Lju Uallasit.
Përktheu tekste biblike nga greqishtja e vjetër, “Punët e Apostujve” dhe “Apokalipsi”.
Në vitin 1965 shqipëron “Iliadën” në standardin e atëhershëm, më pas u ribotua më 1979 në standardin e paskongresit 1972. Më 1995 boton shqipërimin e shtatë tragjedive të Sofokliut – përkthim që në kohë të regjimit nuk iu pranua nga Akademia, me “Kangët e Rolandit” (bot. më 2003) dhe “Le Cid” të Kornejit.
Dy muaj përpara vdekjes mbaroi hartimin e “Fjalorit latinisht-shqip” të nisur prej shumë vitesh me afërsisht 65.000 fjalë. Ka lënë të pa përfunduar “Fjalorin greqisht-shqip” me rreth 18.000 fjalë. Bëri të flasë shqip Ovidin, Horacin, Shekspirin, Hygoin, Rasinin, De Musenë, Lamartenë, Shatobriandin deri tek Papa Gjon Pali i Dytë. Çmonte Nolin, Dakajn, Alkajn, Lacajn, Çomorën.
Ka shkruar po ashtu edhe vepra të vetat, si dramat “Dy Lekët”, “Judita dhe Holoferni” dhe “Skënderi e Zulejka”. Gjatë qëndrimit në burgun e Burrelit, nis më 1950 shkrimin e dramës “Skënderi dhe Zulejka”, që e përfundoi në aeroportin e Urës Vajgurore, Berat.
Me anën e dy shkodranëve të rinj, teknikë të jashtëm në pistën e Beratit, u realizua dalja e veprës së vetme të shpëtuar. Pas 47 vitesh i vëllai, regjizori Lec Shllaku, ia dorëzoi dorëshkrimin. Ky është i pari daktilografim që përfundoi në orën 20:00 dt. 20 nëntor 1999.