TIRANË/ Kisha e Shën Ndout në Laç prej vitesh është kthyer në vendin ku bashkohen mijëra qytetarë dhe besimtarë nga mbarë vendi.
Që nga 19 marsi deri në 13 qershor, e marta e çdo jave e kthen këtë Kishë, që i kapërcen kufijtë fetarë, në epiqendër të lutjeve të qytetarë nga të gjitha qytetet.
Vendi i shenjtë i Shën Ndout është bërë vendi i unifikimit të besimeve dhe besimtarëve, të cilët pa dallim feje besojnë në mrekullitë e njërit nga Shenjtët me të njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë Europën.
Rituali i shenjtë i 13 të martave nis sapo kalon qytetin e Laçit dhe fillon ngjitjen në mal. Ndalesa e parë bëhet tek gjurmët që është dhe vendi ku mendohet se ka kaluar Shën Ndou. Në gurë janë shenjat e këmbëve dhe të duarve të tij, gjithashtu vendi ku mendohet se ai ka pushuar.
Kisha mendohet se është ndërtuar në vitin 1869, ndërsa në 12 qershor 1966 u shpall zonë ushtarake. Një vit më vonë kisha u mbyll. Në shkurt të 1968 kisha e Shën Ndout dhe shpella e Shën Vlashit u shkatërruan me mina.
Edhe pse ishte e ndaluar rreptësisht nga regjimi komunist, besimtarët kurrë nuk e kanë ndërprerë shtegtimin drejt këtij vendi të shenjtë. Më 13 qershor 1990, Kisha në Laç u mbush plot besimtarë, të cilët spontanisht erdhën në festën e Shën Ndout.