Komuniteti Shqiptar në Greqi ka publikuar në rrjete sociale një vendim, që sipas tyre ndalon emigrantët shqiptarë të hyjnë apo dalin nga territori grek pa leje qëndrimi.
Ky vendim pritet të zbatohet pas datës 30 mars 2024.
Para kësaj date emigrantët duhet të jenë kthyer në Greqi ose ndryshe nuk do t’ju lejohet hyrja. Regullorja e re thuhet në njoftim se është shpërndarë në të gjitha pikat kufitare.
Njoftimi i plotë:
Të gjithë emigrantët që jetojnë në Greqi dhe janë në pritje të lejes së qëndrimit, mund të udhëtojnë drejt vendeve të tyre vetëm me leje qëndrimi. Nëse jeni në pritje të lejes së qëndrimit dhe keni në duar vërtetimin, nuk mund të udhëtoni as drejt vendit tuaj, pas datës 30 mars 2024. Mos bëni gabimin të udhëtoni, sepse nuk do të lejohet hyrja. E njëjta gjë vlen edhe për të gjithë ata që ndodhen jashtë Greqisë sot. Duhet të jenë kthyer deri në datën 30 mars, ndryshe nuk do lejohet hyrja e tyre.
Kështu thotë regullorja e re që është dërguar në të gjitha pikat kufitare. Nga policia e aerodromit më thanë që presin ndryshime, por nuk e dimë a do ketë ndryshime dhe si do funksionojnë ato. Për momentin bëni kujdes.
Ky vendim vjen në vijim të ftohjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë për shkak të burgosjes së Fredi Belerit dhe moslejimin e tij si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës.
Beleri është dënuar gjithashtu nga GJKKO me mbi dy vjet burg nën akuzën e korrupsionit në zgjedhje. Ndërkohë më 19 mars pritet të mbahet edhe një seancë gjyqësore për këtë çështje në Gjykatën e Apelit.