– Ministrja Balluku nuk justifikon me letra as udhëtimet jashtë vendit, të cilat ngrenë dyshime nëse kanë qenë për turizëm apo për punë me taksat e shqiptarëve?
KLSH: Nuk ekziston asnjë dokument zyrtar për udhëtimet e Ballukut
Në shtator 2022, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të publikonte një raport për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për periudhën nga 1 gushti 2018 deri në 31 dhjetor 2021. Një detaj i rëndësishëm që bie në sy nga raporti janë udhëtimet e Ballukut dhe stafit, ku KLSH-ja zbulon se Ministria e Infrastrukturës nuk ka dorëzuar dokumentet që provojnë takimet zyrtare, për të cilat janë bërë udhëtime ndërkombëtare.
KLSH “Në të gjithë urdhër-shpenzimet e blerjes së biletave të transportit ajror ndërkombëtar të përzgjedhura për t’u audituar nga grupi i auditimit, si dhe në disa urdhër-pagesa të shërbimeve-dieta jashtë vendit të punonjësve, të likuiduara nëpërmjet arkës, u konstatua mungesa e ftesës së vendit pritës.”
Si pasojë, mungesa e dokumentacionit për ftesën është në kundërshtim me ligjin, rrjedhimisht kemi dyshime për shpërdorim të parave publike për udhëtimet jashtë vendit.
Përveç mungesës së dokumentacionit, nga auditimi i KLSH-së evidentohen shkelje ligjore që ngarkojnë me përgjegjësi Ministrinë e Infrastrukturës, kryesisht ministren Belinda Balluku dhe paraardhësin e saj, Damian Gjiknurin. Kujtojmë se në 17 Janar 2019, në këtë post është emëruar Balluku, duke përfshirë më së shumti në auditim periudhën që institucioni është drejtuar nga kjo e fundit.
KLSH
“Subjekti i audituar (MIE), në disa raste nuk ka vepruar në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore, të cilat kanë shërbyer si kritere vlerësimi, duke u evidentuar mangësi në përcaktimin e kritereve të vendosura në procedurat e prokurimit, në monitorimin dhe zbatimin e kontratave, mangësi në zbatimin e kontratave koncesionare; mangësi në vlerësimin nga “Komisionet e Vlerësimit të Aplikimeve për miratimin e impianteve fotovoltaike/eolike”
Për më tepër, raporti evidenton parregullsi në plotësimin e pasqyrave financiare dhe zbatimin e ligjeve në fuqi.