Kreu i SPAK Altin Dumani deklaroi sot se krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prej prokurorëve, por pa nxjerr emrin.
Prapaskena mëson se prokurori i SPAK, të cilit krimi i organizuar i ka kërcënuar familjen, besohet se është Adnan Xholi, i cili drejton seksionin kundër krimit të organizuar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas burimeve, kërcënimi ka ardhur nga grupe kriminale shqiptare, që drejtojnë aktivitetin kriminal nga Dubai dhe Belgjika.
Mësohet se nyje të krimit të organizuar, nën hetim nga SPAK, kanë adresuar një mesazh kërcënues ndaj një anëtari të familjes së prokurorit Adnan Xholi jashtë vendit.
Kërcënimi besohet se ka lidhje me dosjet e nxehta që ka në dorë prokurori Xholi, i cili ka në duar prova që fundosin kapot e fundit të mafies shqiptare.
“Krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori. Më shqetëson kërcënimi nga krimi i organizuar , jo kërcënimi nga politika. Ne kemi bërë llogari edhe që mos kthehemi, sepse kjo është detyra jonë të hetojmë. Prokurorët janë imunë, janë të gjithë të përgatitur që t’i përballojnë këto situata. Në fund të fundit e kemi zgjedhur vetë këtë detyrë”, tha Altin Dumani gjatë takimit të parë të nismës më të re të dialogut mes institucioneve dhe aktorëve të politikëbërjes “IDM Morning Briefing”.
Më vonë Dumani sikur u tëhoq nga kjo deklaratë.
“Nuk kam thënë në takimin që jam thirrur ditën e sotme, që është kërcënuar familja e ndonjë prokurori. Më është bërë një pyetje, nëse ndihen të kërcënuar prokurorët nga politika apo krimi i organizuar dhe kam thënë që nuk jam i shqetësuar nga politika, por nga krimi i organizuar dhe prokurorët janë të përgatitur për çdo gjë”, tha Dumani.