FUSHË KRUJË- Gentian Bejtja, ish-polic dhe eksponent i njohur i botës së krimit, është ekzekutuar pasditen e sotme, 15 mars, në banesën e tij. Një atentat i mirëorganziuar i mori jetën ish-policit të Burgjeve, ndaj të cilit u derdhën breshëri plumbash kallashnikovi.
Bejtja i shpëtoi atentateve, por armiqtë duket se e kishin mbajtur nën vëzhdim dhe kanë vepruar kur Bejtja arriti në shtëpinë në Fushë Krujë. Pas 8 muajsh në kërkim nga policia, ai shkoi në banesë ku e priste nëna e vetme, por gjeti vdekjen. Ndaj tij është qëlluar me 4 kallashnikovë, teksa ka qenë në serën e banesës. Bejtja ishte në kërkim për t’u marrë në pyetje lidhur me atentatin që u bë ndaj tij më korrik 2023.
Pasi derdhën 4 karikatorë kallashnikovi, autorët janë larguar pa lënë gjurmë nga vendi i ngjarjes. Pak pas vrasjes, mjeti i tyre tip ‘Land Rover’ u gjet i shkrumbuar në fshatin Hasan, ku brenda të cilit ndodheshin edhe 4 kallashnikovët, foto të cilën Report Tv e solli ekskluzivisht.
Të paktën 4 persona dyshohet të kenë marrë pjesë në vrasjen e Bejtjas, por do jetë grupi hetimor që do zbardhë dinamikën e plotë të ngjarjes. Forca të shumta policie dhe RENEA kanë rrethuar zonën e Fushë Krujës në kërkim të autorëve, por ende nuk ka asnjë gjurmë prej tyre.