Asnjë episod tjetër në gjysmë shekullin e kaluar nuk i ka testuar aq shumë lidhjet mes SHBA-së dhe Izraelit sa lufta aktuale në Gaza. Vendosmëria fillestare e Presidentit Biden për të qëndruar në krah të Izraelit i ka lënë vendin telefonatave zhgënjyese, komenteve të mprehta publike dhe takimeve rraskapitëse maratonë, ndërsa marrëdhënia është bërë e tensionuar.
Herë pas here, Biden dhe ekipi i tij kanë ndërhyrë për ta larguar Izraelin nga ajo që ata e konsiderojnë teprimet e hakmarrjes së tij për sulmin e Hamasit të 7 tetorit – vetëm për t’i bërë izraelitët t’i sfidojnë ata në momente kritike. Midis demokratëve, rezistenca ndaj mbështetjes së Bidenit ndaj Izraelit po rritet dhe SHBA-të e kanë gjetur veten në kundërshtim me vendet e tjera në KB.
Fërkimi duket se po shtohet me ardhjen e vitit të ri dhe me rritjen e numrit të të vdekurve në Gaza, megjithëse nuk ka diskutim serioz brenda administratës për një ndryshim domethënës në politikë, si ndërprerja e furnizimit me armë për Izraelin. Bisedat mes Bidenit dhe kryeministrit Benjamin Netanyahu janë gjithnjë e më të tensionuara.
Mosmarrëveshja më e mprehtë midis Uashingtonit dhe Jerusalemit është përqendruar në atë që duhet bërë në Gaza pas përfundimit të luftës. Netanyahu i ka rezistuar sugjerimeve se një Autoritet Palestinez i “rigjallëruar”, i cili është i bazuar në Bregun Perëndimor, do të drejtojë Gazën pas Hamasit, që do të pasohet përfundimisht nga krijimi i një shteti palestinez.
Analizë: Brenda Izraelit, ka pothuajse mbështetje universale për veprimin më të ashpër kundër Hamasit dhe pak shqetësim për pasojat e mundshme. (Marrë nga The New York Times)