Arrestohet shoferi i Agron Dukës, personi që ndihmoi bosin turk të kriptomonedhave të fshihej në Shqipëri

Policia e Tiranës ka arrestuar mbrëmjen e djeshme Edevaldo Haxhiun, pasi gjatë kontrollit në mjetin me të cilin ai udhëtonte iu gjet një armë, si dhe disa doza me kokainë. Burime bëjnë me dije për ZËRIN se Haxhiu është shoferi i kreut të PAA-së Agron Duka, njëherësh deputet në Kuvendin e Shqipërisë. 

Emri i Haxhiut nuk është i panjohur për policinë shqiptare pasi ai ka ndihmuar më parë të fshihej në Shqipëri bosin turk të kriptomonedhave, Faruk Ozer. Pavarësisht insistimit nga Policia, Haxhiu nuk bashkëpunoi asokohe me drejtësinë shqiptare për të treguar vendndodhje e Ozer, i cili tashmë është duke u përballur me drejtësinë në Turqi pas arrestimit.

Faruk Ozer do të arrestohej në Shqipëri në Gusht të vitit 2022, për t’u ekstraduar më pas drejt Turqisë. Policia shqiptare por edhe mediat turke, kanë pasur dyshime se dhe vetë vëllezërit Armando dhe Agron Duka, kanë pasur lidhje me bosin e kriptomonedhave, por një gjë e tillë nuk është arritur që të provohej.

Ozer, u dënua në vitin 2023 me 11,196 vjet burg. Ai akuzohet për krime të shumta përfshirë mashtrimin, udhëheqjen e një organizate kriminale dhe pastrim parash. Gjykata në Stamboll përveç Ozer, dënoi edhe dy vëllezërit e motrat e tij me burg, Serap Özer dhe Güven Özer, duke i shpallur ata fajtorë për mashtrim të rëndë. Po ashtu atyre iu është vendosur një gjobë prej 5 milionë dollarësh.

Në arrestimin e tij në Shqipëri, u angazhuan dhe forcat e SHISH, ndërsa u zbulua se ai e ndante jetesën mes Elbasanit, dhe rezidencave luksoze në Palasë.

Faruk Ozer dyshohet se u arratis nga Turqia me 2 miliard dollarë cash, të cilat i kishte fituar duke mashtruar dhjetëra mijëra turq, të cilët kishin investuar paratë e tyre në monedhën virtuale turke “Thodex”, e cila shpalli falimentin.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here