Ajri i ndotur po vret shqiptarët

Ndotja e ajrit është një nga problemet më të mëdha për qytetarët shqiptarë, duke i ekspozuar ata drejt problemeve të ndryshme shëndetësore, e duke i kërcënuar për jetën. Ndotësit kryesorë të ajrit janë grimcat e pluhurit PM10 dhe PM2.5, oksidet e azotit, NOx, monoksidi i karbonit, CO dhe dioksidi i squfurit, SO2, disa prej tyre disa herë më të larta se vlerat e rekomanduara ditore.

Raportet ndërkombëtare e kanë nxjerrë kryeqytetin shqiptar si një nga qytetet me ndotjen më të lartë të ajrit në Europë. Madje në krahasim me rajonin, ajri në Tiranë është 3 herë më i ndotur se Podgorica e Shkupi dhe rreth 10 herë më i ndotur se Athina.

Sipas matjeve të kryera, mjediset e lokaleve pranë rrugëve kryesore të Tiranës tregojnë prezencën e grimcave vdekjeprurëse në nivele shumë herë më të larta se normat e lejuara nga BE, kryesisht në zonat afër lokaleve dhe akoma më të larta në parkimet e qendrave tregtare.

Vlen të theksohet se qeveria shqiptare ka dështuar prej vitesh që të prodhojë të dhëna të plota, të sakta dhe të besueshme për cilësinë e ajrit por shifrat e sipërpërmendura flasin vetë.

Megjithatë Ministria e Turizmit ka hedhur për konsultim publik një draft në lidhje me ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”, pas disa matjeve të kryera për një periudhë 6 mujore në vitin 2023 nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit duke pranuar edhe vetë dështimin e disa prej institucioneve përgjegjëse për të zbatuar legjislacionin në këtë fushë, konkretisht: Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut.

Në draft thuhet qartësisht se shkaqet e evidentuara lidhur me problemin e ndotjes janë: vakum ligjor, mungesë koordinimi ndërinstitucional, kapacitete të pamjaftueshme të këtyre institucioneve (AKM, DPSHTR, ISHTI, ISHMT), masa administrative të pamjaftueshme dhe jo në përputhje me kontekstin, çka po e detyron qeverinë që të shtrëngojë masat dhe të pranojë në letra një tjetër dështim të saj.

Përveç Tiranës, në listën e qyteteve më ajër të ndotur janë edhe Durrësi, Elbasani Korça, Shkodra dhe Fieri, ku pranohet për ndotjen e cilësisë së ajrit dhe që tejkalojnë normat e BE.

“Bazuar në monitorimin e kryer nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), në periudhën janar-qershor 2023, në 6 qytete (Tiranë, Elbasan, Durrës, Shkodër, Fier dhe Korçë), rezultoi se cilësia e ajrit urban nuk është e nivelit shumë të mirë, por është e një cilësie të mirë sepse parametrat që tejkalojnë normat e BE janë të pakëta dhe kryesisht në periudha të caktuara të vitit, si psh PM10 dhe PM2.5 në Korcë në periudhën e dimrit (si rezultat e ngrohjes me dru) dhe në Tiranë (si rezultat e trafikut rrugor)”- thuhet në draft.

Po sipas monitorimit në të njëjtën periudhë rezulton se ka nje tejkalim të normës ditore të PM 10 (50 µg/m3) në stacionet e Durrësit, Elbasanit, Korcës, dhe Tirana Higjena. PM 10 sipas përcaktimeve mjekësore shkakton sëmundje të zemrës, mushkërive, sistemit nervor qendror dhe kancer.

Transporti i rënduar, shoqëruar edhe cilësinë e naftës dhe me flotën e vjetër të automjeteve që qarkullojnë në Tiranë është një nga arsyet e ndotjes së ajrit. Gjithashtu mungesa e sipërfaqeve të gjelbërta dhe zbatimi pa kriter i ndërtimeve kanë ndikimin e tyre në ndotjen e cilësise së ajrit sidomos në shkarkimin e pluhurave.

Në qytetin e Korcës, burimi i ndotjes është përdorimi i ngrohjes me dru, ndërsa në qytetet e tjera, burimi vjen nga qarkullimi makinave ose pluhuri pasi janë stacione pranë rrugëve me trafik. Ndaj qeveria ka vendosur që të bëjë disa shtesa në ligj duke vendosur që të rrisë me 30% masat administrative që vendosen kundrejt subjekteve që ndotin ajrin, duke pranuar kështu përmes shifrave të mësipërme se qytetarët shqiptarë po thithin ajrin e ndotur.

Bazuar në të dhënat e raportuara për periudhën 2016-2020, Agjencia Europiane e Mjedisit në vitin 2022 ka botuar një raport ku paraqitet një vlerësim mbi përqindjen e popullsisë së ekspozuar nga ndotja e ajrit, ku përfshihet edhe Shqipëria për treguesit PM2.5, NO2 dhe O3. Nga ky vlerësim rezulton se numri i vdekjeve të parakoshme të ekspozuar ndaj PM2.5 është 3646, ndaj NO2 është 325 dhe ndaj Ozonit është 31.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dhjetëra persona në Shqipëri humbin jetën çdo vit si pasojë e ndotjes së ajrit, pasi cilësia e ajrit nxit sëmundje ishemike të zemrës, duke i çuar qytetarët drejt vdekjes. Më të rrezikuar janë të moshuarit, të sëmurët kronikë, të sapolindurit dhe gratë shtatzëna.

Rikujtojmë se monitorimi i cilësisë së ajrit është një çështje mjedisore me ndikim në shëndetin publik, por është gjithashtu një detyrim që nevojitet të plotësohet në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian. Sipas raportit të progresit për vitin 2023, Shqipëria nuk është ende e aftë që të prodhojë statistika mjedisore plotësisht të përputhshme me kuadrin ligjor të BE-së. Teksa këto shifra janë një këmbanë alarami, ato mund të ndikojnë edhe në disa fusha, si turizmi.

Cilësia më e mirë e ajrit mund ta bëjë një vend ose qytet më tërheqës për turistët që kërkojnë një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm. Po ashtu vendet me cilësi të mirë të ajrit shpesh shihen më mirë në skenën globale, gjë që mund të ndikojë pozitivisht në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe tregtinë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here