Në vijim të punës së kryer në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, me objektiv lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, strukturat e Policisë së Shtetit kanë siguruar informacion se një shtetas i akuzuar nga GjKKO-ja, për mashtrim të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, fshihej në Emiratet e Bashkuara.
Ky informacion i shkëmbyer menjëherë me partnerët, nëpërmjet koordinimit të Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit, ka mundësuar finalizimin në Emiratet e Bashkuara Arabe, të operacionit policor të koduar “Platformat”. Gjatë operacionit u bënë të mundur lokalizimi, kapja dhe vënia në pranga, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, e shtetasit Merxhan Çeliku, 32 vjeç.