Në një ditë si sot dhe pikërisht më 4 mars 1946 u ekzekutua Gjon Shllaku, frat françeskan, mësues, publicist, drejtor i të përkohshmes françeskane Hylli i Dritës, dhe me marrjen e pushtetit nga regjimi komunist qe një periudhë të shkurtër anëtar i Frontit Nacional-Çlirimtar, por më pas u dënua me pushkatim.
Hapja e procesit dioqezan për lumnimin e tij, u shpall më 10 nëntor të viti 2002, nga prefekti i asokohshëm i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Kreshencio Sepe, gjatë kremtimit të Eukaristisë, në katedralen e Shkodrës. Lumnimi dhe pranimi si shenjtor, pjesë e Martirëve të Shqipërisë, u bë në meshën e mbajtur më 5 nëntor 2016 në katedralen së Shën Shtjefnit, Shkodër.
U lind më 27 korrik 1907 në Shkodër, i Loros dhe Marë Ashtës, në pagëzim i dhanë emrin Kolë. Ende i vogël hyri në kolegjin françeskane të qytetit ku kreu filloren e gjimnazin e ultë. U krezmua më 23 maj 1917 nga Dioqeza e Shkodrës. Në noviciat në Troshan hyri ditën e Shën Françeskut, më 4 tetor 1922. Kushtet e para rregulltare i dha më 5 tetor 1923, po në Troshan. Më 13 shtator 1928 i dha kushtet e përjetshme, duke ndërruar emrin dhe duke u quajtur kësodore Gjon. Kreu shkëlqyeshëm liceun “Illyricum” dhe kursin e filozofisë në atdhe, dhe për studimet e larta u dërgua në Hollandë për teologji; siç ishte praktikë e atëhershme të dërgoheshin jashtështeti. U shugurua meshtar më 15 mars 1931. U dërgua nga Provinciali P. Prennushi që të vazhdonte studimet në Universitetin e Louvain-it, së pari në degën e shkencave dhe më tej në histori dhe filozofi. Doktoroi në Universitetin e Sorbonës në Paris (1936-1937) për filozofi, me temën “Aktualizmi i Giovanni Gentile”. Mbas doktorimit kthehet në atdhe duke u përfshirë në trupën mësimore të shkollës që e gatiti për universitet. Pak mbrapa, posë filozofisë, mori përsipër të japë orë frëngjishteje. I qe ngarkuar edhe drejtimi i “Djelmnisë Antoniane”, më të cilën merrshin pjesë, veç nxënësve të liceut, edhe shumë nga ish-nxënësat e gjimnazit Illyricum, të rinj, profesorë, artistë, shkrimtarë, punëtorë, zanatlinj në shenjë. Me pushtimin italian për shkak të qendrimit antifashist u largua në Jugosllaví. Ktheu në atdhe me 13 qershor 1940, mbas shumë ndërhyrjesh. Qëndrimi i tij si antifashist vazhdoi, dhe me dukjen e ndikimit partizan dhe premisave që kishin për marrjen e pushtetit, P. Gjoni mbajti ligjërata në Kishën Françeskane në Gjuhadol. Pas ardhjes në pushtet të Frontit Nacional-Çlirimtar, organet e pushtetit të regjimit e zgjodhën me Dom Ndre Zadejën ndër anëtarët e Komisionit të Letërsisë të Këshillit të Qarkut Shkodër. Më 14 janar 1945 u krijua Shtëpia e Artit në Shkodër ku ishte konferencier dhe në vazhdim u zgjodh anëtar i kryesisë së Frontit Nacional-Çlirimtar për Prefekturën Shkodër. Dhjetorin e 1945 pas arrestimit të disa studentëve të Gjimnazit të Shkodrës të lidhun me seminarista papalë që kishin krijuar organizatën e quajtur “Bashkimi Shqiptar”, që i bënin thirrje kundër politikës sllave, në janar arrestuan P. Shllakun sipas akuzës që “drejtonte një grup terrorist quajtur “Dora e Zezë” që do të kryente vrasje njerëzish, lidhur me të parët e fesë muslimanë e ortodoksë”. Gjyqi i tij u zhvillua në kinemanë Rozafat së bashku me meshtarët jezuitë P. Giovanni Fausti e P. Daniel Dajani, të cilët do t’i mbronte av. Kolë Dhimitri, ndërsa P. Shllakun av. Myzafer Pipa. Më 4 mars 1946 klerikët u pushkatuan në të zbardhur të ditës së bashku me seminaristin Mark Çuni, Gjelosh Lulashin dhe Qerim Sadikun.