Në një ditë si sot dhe pikërisht më 28 Shkurt 1954 u lind në Prishtinë aktori i mirënjohur, Enver Petrovci. Fillimisht studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në degën e aktrimit, pastaj përfundoi studimet Universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit.
Ka një karrierë shumë të suksesshme në teatër, sidomos në “Atelieja 212” pasi me rolet e luajtuara aty u bë i njohur në mbarë ish Jugosllavinë duke u vlerësuar si një nga aktorët me të famshëm të asaj kohe. Pas mbarimit të luftës në ish Jugosllavi, pas vitit 1999 vazhdoi me sukses karrierën e tij artistike kryesisht në trojet shqiptare, në Kosovë, Shqipëri por edhe më gjerë.
Interpretimet e tij në film ishin gjithashtu shumë të mirëpritura duke arritur famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, shqiptare dhe ndërkombëtare.
Është njëri nga themeluesit dhe profesorët e parë të degës së Artit Dramatik pranë Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës.
Në vitin 1989 ai kthehet nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në Universitetin e Prishtinës, ku dhe formohet brezi i ri i aktorëve në Kosovë.