Mafia italiane kërcënon famullitarin? Zbardhues në kupën e verës

ITALI – Një famullitar në jug të Italisë po bëhej gati të pinte një gllënjkë nga kupa e verës, kur kuptoi se ishte e mbushur me zbardhues në atë që besohet të ishte një kërcënim i lidhur me mafien italiane. At Felice Palamara sapo kishte shenjtëruar kupën e ujit dhe verës përpara se të kremtonte eukaristinë gjatë meshës së mbrëmjes të shtunën në kishën San Nicola di Pannaconi në Cessaniti, një qytet i vogël në rajonin e Kalabrisë, dhe ndërsa po përgatitej të pinte prej saj, vuri re një erë të çuditshme.

 

Ceremonia u ndërpre kurse testet laboratorike të bëra më vonë konfirmuan se përzierja përmbante zbardhues, duke nxitur autoritetet e sigurisë të fillojnë hetimet. Palamara, i cili shpesh ka folur kundër Ndrangheta-s, organizatës mafioze që e ka origjinën në Kalabri, u tha mediave lokale se kishte marrë disa kërcënime me vdekje gjatë kohës që ishte në kishë.

Vetura e tij është vandalizuar dy herë në muajt e fundit. Prifti, i cili ngado shoqërohet nga policia, ka shkruar në rrjetet sociale se hakmarrja e tij quhet dashuri dhe se mburoja e tij është falja. Ai është shprehur se nuk do të ndalet para pengesave dhe se nuk do të trembet nga errësira, duke u zotuar të vazhdojë punën e tij.

Palamara nuk është i vetmi prift vendas që është shënjestër e kërcënimeve të supozuara mafioze. Ati Francesco Pontoriero, i famullisë San Basilio Magno, gjeti një mace të ngordhur në kapakun e makinës së tij ndërsa kthehej nga darka në Cessaniti. Nuk është e pazakontë që priftërinjtë në Itali të jetojnë nën mbrojtjen e policisë. At Maurizio Patriciello, një prift në Caivano, afër Napolit, i cili prej vitesh ka luftuar kundër krimit të lidhur me mafien, ka dy truproja.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here