Bruksel – 8 vjet burg dhe 800 mijë euro gjobë për shqiptaren

image_123650291.JPG

Gjatë procesit gjyqësor në Gjykatën Penale të Brukselit për çështjen e “Sky ECC” dhe për 128 të pandehurit e një organizate të trafikut ndërkombëtar të kokainës është kërkuar dënimi me 8 vite burg në mungesë për shqiptaren Deljana Nebiu e cila është e afërme e shqiptarit me mbiemër kolumbian Eridan Munoz Guerrero.

Sipas një ekstrakti të QKB bëhet me dije se Eridan Guerrero ka pasur ortake Nebiun në një biznes në Vlorë. Për prokurorin publik, shqiptarja ka qenë në dijeni të aktivitetit kriminal të të afërmit të saj dhe ka ndihmuar organizatën. Pas arrestimit të tij, 30-vjeçarja organizoi vetë arratisjen e saj në Spanjë nëpërmjet Montpellierit, sipas deklaratës së prokurorit federal.

“Ajo nuk dëshiron të marrë avionin dhe shmang autostradën e Parisit për shkak të kontrolleve të shpeshta”, theksoi ai.

Sipas mediave të huaja e reja bënte një jetë luksoze duke u veshur me veshje firmë, apo duke udhëtuar në shtete të ndryshme e duke qëndruar në hotele me 5 yje. Prokurori i çështjes ka kërkuar 8 vite burg, 800 mijë euro gjobë si dhe humbjen e të drejtave në Belgjikë për 10 vite dhe ndalimin e administrimit të një kompanie, për të njëjtën periudhë.

Ndërkohë në mars 2023, në kuadër të operacionit “Filtri”, SPAK sekuestroi 18 pasuri të paluajtshme  kryesisht në lagjen “Uji i ftohtë”, Vlorë dhe në Durrës, si dhe 4 automjete të tipave të ndryshme, të cilat dyshohet se janë përfituar nga shtetasi Eridan Guerrero dhe nga familjarët e tij, për shkak të veprimtarive kriminale të 51-vjeçarit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here