Në një ditë si sot dhe pikërisht më 22 shkurt të vitit 1933, u nda nga jeta Hilë Mosi. Rrugëtimi i tij gjithëkombëtar, ka kulmuar me pjesëmarrjen në lëvizje atdhetare, kulturore dhe politike. U lind në Shkodër, më 22 prill 1885, në një familje me theks patriotik. Mësimet fillore i ndoqi në shkollën italiane të vendlindjes. Më tej, iu drejtua shkollës teknike tregtare dhe Kolegjit Saverian të Jezuitëve. Ndërsa, në studimet e larta u profilizua në degën e Mësuesisë në Shkollën Normale të Klagenfurtit. Nën kujdesin e tij botohej fletorja e titulluar “Vllaznija”, Mosi nisi t’i dedikohej letërsisë. Prozat dhe vjershat e tij atdhetare mbanin pseudonimin letrar “Sakoli”. Themeloi shoqërinë “Gegnija” dhe si përfaqësues i radhëve të saj, përkrah Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Luigj Gurakuqit dhe Mati Logorecit, mori pjesë në punimet e Kongresit të Manastirit. Mosi mbajti një sërë funksionesh shtetërore. Në segmentin katërvjeçar, 1920-1924, ushtoi detyrën e ligjvënësit. Po ashtu, shërbeu si senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë, nga marsi deri në dhjetor të vitit 1920. Gjatë qeverisë së Fan S. Nolit, përmbushi detyrën e prefektit të Korçës dhe të Gjirokastrës. Në kabinetin qeveritar të 1927-s, qe ministër i Punëve Publike. Ndërsa, në vitin 1930, mori postin e kreut të Ministrisë së Arsimit, detyrë që e ushtroi gjer në vdekje.