KF Tirana shkarkon trajnerin Ahmataj

Java e 24-t e Superiores u mbyll me derbin e madh të kryeqytetit. Partizani mposhti 2-1 Tiranën, ndërkohë që mbrëmjen e djeshme, presidenca bardheblu ka vendosur të largojë nga stoli trajnerin Julian Ahmataj.

Pra, pas Orges Shehit, presidenti Refik Halili ka bërë “kokë turku” trajnerin e dytë brenda këtij sezoni. Tashmë pritet të mësohet emri i ri i stolit të skuadrës më të titulluar në Shqipëri. 44-vjeçari elbasanas, i ulur në bankinën bardheblu 5 tetorin e vitit të kaluar, e drejtoi Tiranën në 19 ndeshje dhe ka marrë mesatarisht 1.42 pikë për lojë. Për Ahmataj kjo ishte hera e dytë që udhëheq skuadrën e parë kryeqytetase, ndërkohë që më herët ka qenë trajner i të rinjve bardheblu. Pas 24 javësh kampionat, Tirana ndodhet në vendin e katërt me 34 pikë, shumë larg pritshmërive. Duhet përmendur fakti se shkarkimi i Ahmatajt ka ardhur një natë para ndeshjes së Kupës së Shqipërisë, Teuta-Tirana. Pra, një lëvizje aspak e këshilluar në të tilla raste, por presidenti Halili ka menduar të bëjë ndryshim në dejtimin teknik të të tijve. “Ankandi” për pasuesin e Ahmatajt tashmë është hapur, mbetet të zbulohet kujt do t’i besohet vazhdimësia e drejtimit të skuadrës më të titulluar në Shqipëri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here