Sipas mediave greke, dhjetëra traktorë kanë pushtuar tashmë sheshin Sintagma, ndërsa fermerë nga Kreta dhe shumë rajone të tjera kanë mbërritur në mëngjes me anije dhe autobus.
Mesditën e sotme “autokolona” me 120 traktorë nga zonat e Greqisë Qendrore dhe Thesalisë u nis drejt Athinës.
Ashtu si në shumë kryeqytete europiane, fermerët grekë zgjodhën të mobilizohen në Athinë me sloganin :”Pa ne, çfarë do të hani?” Ky tubim në kryeqytetin grek vjen pas takimit që përfaqësuesit e fermerëve patën javën e kaluar me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis.
Qendra e Athinës është praktikisht e pakalueshme, ndërsa qarkullimi është mbyllur për të lehtësuar mbërritjen e mjeteve bujqësore. Fermerët vijojnë të këmbëngulin për plotësimin e kërkesave të tyre, pavarësisht se kryeministri Mitsotakis e bëri të qartë dje se “nuk kemi çfarë të japim”.