107 Vjet Musine Kokalari

Në një ditë si sot dhe pikërisht më 10 shkurt 1917 në Adana, në jug të Turqisë, u lind Musine Kokalari.
Ajo ishte themeluese e Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë në vitin 1943 dhe një nga shkrimtaret e para të botuara në Shqipëri. Pas një angazhimi të shkurtër në politikë gjatë Luftës së Dytë Botërore, u persekutua nga regjimi komunist në Shqipëri dhe nuk u lejua të shkruante më. Vdiq në varfëri dhe izolim të plotë.
Gjyshi i saj, Hamit Kokalari, kishte kryer studimet e larta për teologji dhe filozofi në Turqi dhe konsiderohej si pjesë e intelektualëve të kohës në zonën e Gjirokastrës, krahinë nga e kishte origjinën. Babai i saj, Reshati, kishte studiuar për drejtësi në Stamboll, ku u vendos me familjen e tij. Musineja ishte më e vogla në familje, ndërsa kishte edhe tre vëllezër të tjerë Mumtazin, Vesimin dhe Hamitin, të cilët po ashtu kishin arsim të mirë, si në fushën gjuhësore-letrare ashtu edhe në atë juridike. Tre vjet pas lindjes së saj, familja e Musinesë u kthye në Shqipëri dhe u vendos në qytetin e tyre të lindjes, Gjirokastër. Ajo u rrit mes librave, muzikës së dëgjuar në gramafon dhe veçanërisht përrallave, tregimeve dhe këngëve tradicionale shqiptare, ndërsa një pjesë të shkollës fillore e kreu në qytet. Më pas u vendos në Tiranë, pranë institutit “Motrat Qiriazi” dhe gjimnazit “Nana Mbretneshë” ku studioi deri në vitin 1937. Ajo arriti rezultate të shkëlqyera me shkrime që tërhoqën menjëherë vëmendjen e personaliteteve të letërsisë, gjuhësisë, filologjisë, etnografisë, studimeve të folklorit të rretheve intelektuale shqiptare me të cilat Musineja e re pati rastin të vinte në kontakt. Në marrëdhënie të tilla ka luajtur rol edhe libraria “Venus”, në pronësi të vëllait të saj Vesimit, u bë pikë e rëndësishme referimi dhe thellimi kulturor në kryeqytetin shqiptar; si dhe shtëpia botuese “Mesagjeritë shqiptare” e drejtuar nga vëllai tjetër i saj, Mumtazi, përmes së cilës janë përkthyer dhe botuar vepra bazë si ato të Edgar Allan Poe, Walter Scott, Shakespeare, Omar Khajami, Vicente Blasco Ibáñez.
 Në vitin 1937, ajo filloi të botojë një sërë artikujsh për çështje sociale në gazetën “Shtypi” me emrin Muza, që në vetvete është një lojë fjalësh me emrin e saj të vërtetë. Në vitin 1938, Musine do të nisej për në Romë për të filluar studimet universitare në Università degli Studi di Roma “La Sapienza”. Një vit më vonë ajo shkroi veprën e saj të parë profesionale të quajtur “Sic më thotë nënua plakë”, libër i cili do të botohej vetëm në vitin 1941 në Tiranë. Me botimet e saj Musineja kishte arritur të zgjonte interesimin e shkrimtarëve të rëndësishëm si Lasgush Poradeci, Ali Asllani dhe mbi të gjitha Ernest Koliqi, i cili në La Sapienza ishte themeluesi i Institutit të Studimeve Shqiptare. Koliqi u bë shpejt një pikë referimi për shkrimtaren dhe studiuesen e re, një model për t’u ndjekur si në fushën shkencore ashtu edhe në atë poetike-letrare. Nën mbikëqyrjen e Namik Resulit, Musineja punoi tezën e doktoraturës për Naim Frashërin (1846–1900). Nëpërmjet kërkimeve të gjata arkivore për të cilat u ndihmua nga nipi i poetit të madh, Mit’hat Frashëri, ajo ilustron me hollësi aspektet e shumëanshme që në Shqipëri e kanë bërë Naim Frashërin simbol të letërsisë kombëtare.
Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, vetë Kokalari hapi një librari dhe u ftua të bëhej anëtare e Lidhjes Shqiptare të Shkrimtarëve dhe Artistëve, krijuar më 7 tetor 1945, nën kryesinë e Sejfulla Malëshovës. Gjatë gjithë kohës ajo ishte e përndjekur nga ekzekutimi pa gjyq i dy vëllezërve të saj, Mumtazit dhe Vejsimit, më 12 nëntor 1944, nga komunistët dhe kërkonte sinqerisht drejtësi dhe ndëshkim. E lidhur ngushtë me partinë socialdemokrate shqiptare dhe organin e saj të shtypit Zëri i Lirisë, në vitin 1944, ajo u arrestua më 17 janar 1946, në një epokë terrori të shoqëruar me arrestimin e S. Malëshovës, dhe më 2 korrik 1946 u dënua me njëzet vjet burg nga gjykata ushtarake e Tiranës si diversant dhe armik i popullit. Pak para arrestimit të saj, Kokalari i kishte dërguar një letër Forcave Aleate, të cilat ishin ende me bazë në kryeqytetin shqiptar, Tiranë. Në letrën e saj ajo bëri thirrje për zgjedhje të lira dhe liri të shprehjes.
Në gjyq, Kokalari deklaroi si më poshtë: “Nuk kam nevojë të jem komuniste që ta dua vendin tim. Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Më pëlqen përparimi i saj. Ju mburreni se e keni fituar luftën dhe tani jeni fituesi që doni të shuani ata që i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por e dua vendin tim. Ju po më ndëshkoni për idealet e mia!”
Në vitin 1964, pas 18 vitesh në burgun e Burrelit në rrethin e Matit, e izoluar dhe nën vëzhgim të vazhdueshëm, 19 vitet e ardhshme të jetës i kaloi në internim në qytetin e Rrëshenit, në Shqipërinë e Veriut, ku iu desh të punonte si pastruese rrugësh dhe kurrë nuk u lejua të rifillonte shkrimin e saj. Ajo vdiq në gusht 1983, në varfëri ekstreme, pas një beteje me kancerin.
Në vitin 1993 Musine Kokalari u shpall pas vdekjes Martire e Demokracisë nga Presidenti i Shqipërisë dhe një shkollë në Tiranë mban emrin e saj.
Ajo është një nga subjektet kryesore të përmbledhjes së eseve Tokat e Askujt: tetë gra të jashtëzakonshme në historinë e Ballkanit, nga shkrimtarët anglo-kosovarë Elizabeth Gowing dhe Robert Wilton.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here