GJKKO ka vendosur konfiskimin e pasurive të Gëzim Cafit.
Ky i fundit rezulton i dënuar në vitin 2005 për vrasje me paramendim e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Njoftimi i SPAK:
Krahas ushtrimit të ndjekjes penale, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, është kujdesur që në fokus të saj të jetë edhe identifikimi, sekuestrimi, dhe konfiskimi i pasurive, që dyshohet se rrjedhin nga krimi.
Në zbatim të Aktit Normativ Nr.1, datë 31.01.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të luftës kundër terrorizimit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”, Prokuroria e Posaçme, i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesën për konfiskimin e pasurive të subjektit Gëzim Cafi, i deklaruar fajtor, me vendimin nr. 44, datë 26.09.2005, të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenent 78, 22, 25 dhe 278/2, të Kodit Penal, dhe personave të lidhur.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.9, datë 22.06.2023, ndër të tjera, ka vendosur konfiskimin e pasurive të paluajtshme, si më poshtë:
Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 900 m2, e cila ndodhet në Shkodër, në emër të personit të lidhur me subjektin/shtetases Violeta Cafi;
Objekti tre katësh, me një sipërfaqe ndërtimi në total 900 m2, me destinacion Bar -Restorant – Hotel, i cili ndodhet në Shkodër, në emër të personit të lidhur me subjektin/shtetases Violeta Cafi.