Në një ditë si sot dhe pikërisht më 5 shkurt 1941 u lind në Peqin, Ferdinand Deda kompozitor, dirigjent dhe instrumentist shqiptar. Mësimet e tij të para në muzikë nisën në moshën 6-vjeçare dhe më vonë studioi në Liceun Artistik Jordan Misja në Tiranë. Pas mbarimit të studimeve në vitin 1959, ai punoi si mësues muzike në Gjirokastër deri në vitin 1960, kohë kur u regjistrua në Konservatorin e Pragës,
Pas një viti detyrohet të ndërpresë studimet për shkak të ndarjes shqiptaro-sovjetike dhe t’i vazhdojë në 1962 në konservatorin e Tiranës. Që kur ishte student udhëhiqte orkestrën e RTSH dhe pas studimeve u emërua në këtë orkestër.
Më pas do të specializohej në Itali për kompozim dhe dirigjim nga viti 1991 deri në vitin 1992. Duke filluar nga viti 1964, ai do të kompozonte mbi 300 koncerte si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj.
Me orkestrën simfonike të RTSH ka kompozuar muzikën e shumë filmave. Deda është shquar edhe si kompozitor, ai ka kompozuar 3 valle simfonike “meditim 1-2-3”, ka kompozuar gjithashtu edhe katër skica për piano, trio për violinë, violonçel dhe piano, prelud të kënduar, impropt për piano dhe orkestër harqesh, fantazi për ksilofon dhe orkestër, koncertino për korn dhe orkestër, koncert për klarinetë dhe orkestër, rapsodi me tema poullore për orkestër, koncertino për fagot, klarinetë dhe flaut, muzikë filmi etj. Është shquar edhe në gjininë e këngës së lehtë për fëmijë, si dhe themeluesi i Festivalit të Pranverës në RTSH. Më 1997 u shpall fitues i “Diskut të Artë” dhe është nderuar me titullin “Artist i merituar” dhe “Mjeshtër i Madh”. U nda nga jeta në 24 gusht 2003.