106 Vjet Spiro Çomora

Në një ditë si sot dhe pikërisht më 31 Janar 1918 u lind në ishullin e Korfuzit prej një familjeje vunjote, satiristi, përkthyesi, poeti dhe komediografi Spiro Çomora.
Në vendlindje kreu mësimet fillore dhe të mesme, ndërsa shkollimin e lartë e nisi në Itali për drejtësi, por me fillimin e Luftës së Dytë Botërore nuk mundi ta përfundonte. Fillon punë si mësues dhe mbledhës folklori, veprimtari që paraqitet te botimet “Visaret e Kombit” IV gjatë kohës kur Ministri i Arsimit z. Koliqi dha urdhëresën për t’u mbledhur dhe botuar fruti i folklorit. Pas luftës u emërua gjyqtar në Gjykatën e Elbasanit. Më pas u vendos në Tiranë dhe pothuajse gjatë gjithë jetës punoi në revistën “Hosteni”.
Në fillimet e veta nisi të shkruajë vjersha humoristike, të cilat i botoi tek “Hosteni”. Bën pjesë në komisionin e përbërë prej gjashtë vetëve që mbikëqyri e redaktoi përkthimin e “Iliadës” nga Shllaku, duke e shoqëruar botimin me studimin “Iliada dhe bota homerike”.
Fryt i punës disavjeçare janë përmbledhjet poetike “Syfete”, “Për njoftim e për veprim”, “Maska dhe fytyra” dhe “Skena e prapaskena”.
Skena e tërhoqi Spiro Çomorën qysh herët dhe shkroi dialogje, intermexo, skeçe, pjesë me një akt etj., të cilat u botuan e u vunë edhe në Teatër. Krijimet më të mira në këtë gjini i botoi në përmbledhjet “Nga fshati i gruas” dhe “Injeksione që duhën bërë”. Më vonë shkroi edhe disa komedi me një e tre akte, si “Syleshi”, “Iu hoqën petët lakrorit”, “Dy me zero” (më vonë e titulloi “Prindër edukatorë”), “Dema dhe toreadorë”, dhe mbi të gjitha “Karnavalet e Korçës” më 1961 dhe “Dy me zero” më 1969.
Spiro Çomora u angazhua edhe me përkthime, si poema “Skënderbeu” e shkruar nga Grigor Pŭrlichev më 1968. E sidomos i letërsisë antike greke për të cilën çmohej nga Gjon Shllaku.
Më 1957 pruri fabulat e Ezopit “Sorra e pëllumbi”; “Paqen” 1958, “Lisistratat” 1960 dhe “Kalorësit” 1969 e Aristofanit; pjesë të zgjedhura nga Satirat e Junius Juvenalis dhe 12 këngët e para të “Odisesë” së Homerit të botuara vitin që vdiq në Tiranë më 1973.
Më 2012 iu dha titulli “Nderi i Himarës”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here