Pas “kapjes” së SHISH, Rama kap Shërbimin Sekret të Ushtrisë/ akses në TIMS dhe bazën e automjeteve

RAMA SI BERISHA, FUT NË LOJË SHËRBIMIN SEKRET TË USHTRISË PËR TË SURVEJUAR SHQIPTARËT?

Pas kapjes së Shërbimit Informativ Shqiptar, kryeministri Edi Rama duket se është vënë në lëvizje për të forcuar Shërbimin Informativ të Ushtrisë, i njohur si Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

Qeveria ka nxjerrë për konsultim një draft, ku bëhet ndryshimi i ligjit që rregullon aktivitetin e këtij shërbimi. Qeveria i jep të drejtë Shërbimit Ushtarak që të ketë akses kudo. Në draftin e siguruar nga “Pamfleti”, bëhet me dije se Agjencia e Inteligjencës mund të përdorë sistemin TIMS, sistemin e Drejtorisë së Transportit dhe të gjitha sistemet e tjera që kanë të dhëna sekrete për secilin prej nesh.

“Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së saj, siguron informacionin e nevojshëm nëpërmjet metodave, mënyrave, sistemeve apo bazave të të dhënave në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”, thuhet në nenin 6 të projektligjit, ku specifikohet se Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në përmbushje të misionit të saj, përdor dhe shfrytëzon sistemin e-DPSHTRR dhe TIMS.

Po ashtu ata kanë akses në përgjime dhe kudo që mund ta shohin të arsyeshme. “Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në përmbushje të misionit të saj, përdor dhe shfrytëzon për grumbullim informacioni disiplinat grumbulluese të inteligjencës”, theksohet më tej.

Në ligj janë bërë dhe një sërë ndryshimesh të tjera, por pyetja që shtrohet është: A po vepron Rama si Berisha kur ishte në pushtet? Të gjithë e mbajnë mend skandalin me Shërbimin Informativ të Ushtrisë, pasi u ble një pajisje përgjimi e sofistikuar dhe përdorej nga qeveria e asaj kohe për të përgjuar kundërshtarët dhe jo vetëm.

Nëse krahasojmë ligjet, aktualisht Agjencia përdor vetëm këto metoda për të grumbulluar të dhëna: bashkëpunimin me individë me vullnetin e tyre të lirë; përdorimin e mbikëqyrjes së fshehtë; krijimin dhe përdorimin e evidencës operative; përdorimin e mjeteve teknike dhe elektronike; përgjimet e telekomunikimeve dhe kontrollin postar.

Pra nuk ka akses te të dhënat e sistemeve elektronike. Tani qeveria i jep askes kudo. Me pak fjalë survejimi do të rritet. Por ndryshe nga SHISH që është një organ më i pavarur, Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes është në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Pra, dikasteri i Niko Peleshit do të sigurojë akses në TIMS dhe të dhënat e makinave. /Pamfleti

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here