98 Vjet Tish Daija

Në një ditë si sot dhe pikërisht më 30 Janar 1926 u lind në Shkodër kompozitor i njohur, Tish Daija.
Ai kompozoi baletin e parë shqiptar Halili dhe Hajria (Halili dhe Hajria) që u shfaq si premierë më 13 janar 1963 dhe që atëherë është shfaqur më shumë se 250 herë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit të Shqipërisë, një rekord për Teatrin Shqiptar.
Pa mbushur moshën shkollore, bëhet pjesëtar i “Korit Françeskan”, ku nën drejtimin e P. Martin Gjokës dhe Filip Mazrekut merr mësimet e para muzikore bashkë me Tonin Harapin, Çesk Zadejën, Lukë Kaçajn, Simon Gjonin. Në moshën 10 vjeçare bëhet instrumentist i bandës muzikore “Antoniane” që drejtohej nga Prenk Jakova. Shkollën e mesme e kreu në vitin 1947 në qytetin e lindjes..
Daija ishte edhe një futbollist shumë i mirë.
Ai ka qenë pjesë e Flamurtarit përpara se t’i përkushtohej seriozisht muzikës dhe madje u bë një nga golashënuesit më të mirë të Shqipërisë në kampionatin kombëtar të vitit 1948 me 11 gola.
Më 1956, Tish Daija kreu studimet në konservatorin “Çajkovski” të Moskës. Mbas studimeve emërohet në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës.
Krijimtarinë muzikore e filloi nën tingujt e fizarmonikës. Kompozimet e para janë këngët “Çik, o mori çikë”, “Ndal, bre vash”, “Me lule të bukura”, “Bjeri Gajdes Gajdexhi” etj.
Tish Daija ka dhënë një kontribut themelor në krijimin dhe zhvillimin e muzikës instrumentalo-simfonike, muzikës së dhomës dhe për krijimin e një tradite të çmuar shqiptare të muzikës klasike. Së bashku me Çesk Zadejën e Tonin Harapin krijuan klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, ku ka dhënë kontributin e tij si pedagog në formimin e disa brezave kompozitorësh, muzikologësh e instrumentistësh. Tish Daija ka qene Udhëheqësi Artistik i Asamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore për 18 vjet (1962-1980) dhe autor i shumë veprave të mëdha muzikore si, opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, “Bijte e Peshkatarit” etj.
Tish Daija ka kompozuar muzikë për filmat: “Fëmijët e saj” 1957, “Debatik” 1961, “Komisari i Dritës” 1966, “Kryengritje në Pallat” 1972, “Tingujt e luftës” 1976.

Ndërroi jetë në moshën 78 vjeçare në 3 tetor 2003.

Me propozim të Akademisë së Shkencave, akademiku dhe kompozitori i shquar Tish Daija u vlerësua me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” në 90 vjetorin e lindjes nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here