SPAK – 17 persona zhvatën 5 milionë euro

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka përfunduar hetimet paraprake për procedimin penal nr.121 viti 2021, për veprat penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në dëm të disa personave, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar si vepra penale nga nenet 143/b/2, 28/4, 333/a/1 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Ky procedim është regjistruar pasi, nga ana e autoriteteve gjyqësore Italiane, konkretisht të Prokurorisë së Republikës pranë Gjykatës Pordenone Itali, po hetohej për një grup kriminal të përfshirë në kryerjen e transaksioneve me anë të mashtrimit kompjuterik, vepra këto të parashikuara dhe në legjislacionin penal shqiptar, nga nenet 143/b, 28/4, 33/a dhe 334 të Kodit Penal. Më tej, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës Pordenone, Itali, kanë nënshkruar në datën 22.04.2021 krijimin e një Skuadre të Përbashkët Hetimore.

Nga hetimet të zhvilluara fillimisht nga Prokuroria e Pordenone, Itali, rezultonte se, Seksioni i Policisë Postare të Pordenone-s, kishte identifikuar se, një grupi kriminal dispononte një call center të vendodhur në Tiranë (Shqipëri), ku përdorte shumë operatorë për të kontaktuar një numër të madh personash banues në Itali. Personat kontaktoheshin nëpërmjet telefonit, u propozohej blerja on line e aksioneve “Amazon” me premtimin e pa vërtetë të fitimit të shumave të majme dhe të shpejta. Në momentin që klienti në dijeni pranonte nënshkrimin e investimeve, i dërgohej një e-mail që përmbante një link nëpërmjet të cilit lidheshin për të filluar blerjen e titujve.

Kështu, viktima shkarkonte sipas udhëzimeve te telefonuesit aplikacionin “AnyDesk”, faktikisht duke i lejuar mashtruesit që të futej si i jashtëm në kompjuterin e tij dhe të marrë kodet e sigurisë të bankës, duke e lejuar për tu futur direkt në numrat e llogarive bankare.

Të njëjtët mashtrues, me qëllim marrjen e më shumë parave nga “blerësit”, i bënin të besojnë viktimat se për të hyrë në zotërim të shumave shumë të mëdha të fituara nëpërmjet investimit, duhet të paguajnë një lloj takse/komisioni sipas rregullave të prezumuara, të vendosur nga Banka Qëndrore Evropiane duke qenë se Shoqëria e Trading-ut gjendet në Angli, pra jashtë Bashkimit Europian.

Ndër të tjera, hetimet nxorën në pah se grupi kriminal ishte shume i kujdesshëm me qëllim për të mos u zbuluar, kryente lidhjen “AnyDesk” në kompjuterat personal të viktimave, duke përdorur një server italian të provider-it Aruba, që garantonte në fakt fshehjen reale të adresës IP nga ku kishte kryer komunikimi, duke bërë serverin si “nyje” të vetme për të gjitha komunikimet.

Hetimi ka filluar pas kallëzimit të shtetasit italian A.B. në 28.09.2020 (procedimi penal nr. 2041/2020 mod.44), i cili ka raportuar se kishte investuar një shumë të madhe parash (një total prej 700.000 euro), sepse ishte tërhequr nga një reklamë e gjetur në internet e cila e kishte ftuar të investojë në aksione të Amazon dhe që do të kishin siguruar një marrëveshje të madhe përfitimi. Pas një interesi nga ana e tij, i njëjti person ka raportuar se ishte kontaktuar nga disa të vetëquajtur “ndërmjetës financiarë” të cilët, si pjesë e të njëjtit propozim investimi, duke synuar përfitimin e shumave të mëdha nga transferime të shumta financiare.

Në denoncimin e depozituar nga A. B. janë specifikuar në detaje të gjitha mënyrat e mashtrimit të pësuar, duke evidentuar se ka marrë kontakte telefonike dhe me postë elektronike me të poshtëshënuarit “operatorë financiarë” me të cilët kishte shkëmbyer dokumente të ndryshëm.

Si rezultat i veprimtarisë së përbashkët hetimore është bërë e mundur fillimisht identifikimi i Call centerit dhe disa nga personat e përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm, sipas të cilit rezultonte se i kishte sjellë këtij grupimi kriminal një shumë të përgjithshme prej 1.300.000 eurosh, që mendohet të jetë vetëm një pjesë e vogël e shumës së përfituar nga grupi si vijim i aktivitetit kriminal.

Ky grup kriminal dyshohej se kishte ushtruar aktivitetin e tij deri në muajt prill ose maj të vitit 2022 ku edhe ka mbyllur aktivitetin e Call Centerit, me adresë rruga “Don Bosko”….

Pas provave të grumbulluara me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme nga ana e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin nr.75 datë 21.10.2022, fillimisht janë caktuar masa e sigurimit me karakter shtrëngues “arrest në burg”, për shtetasin Gilbert Pushani dhe arrest në shtëpi për shtetaset V. A. dhe E. Ç, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrim kompjuterik”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Ky vendim është ekzekutuar nga policia gjyqësore në datë 25.10.2022. Njëkohësisht me arrestimet e shtetasve të mësipërm, më datë 25 tetor 2022, gjykata autorizoi kontrollin dhe sekuestron e Call Center-it të përdorur nga grupi kriminal me vendndodhje në Tiranë – Rruga “Dritan Hoxha” – Kompleksi “Karavan U2” – kati nr. 2.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here