89 Vjet Skënder Sallaku

Në një ditë si sot dhe pikërisht më 25 janar 1935 lindi në Tiranë legjenda e humorit, Skënder Sallaku.
Që në fëmijëri të hershme ai shfaqi një pasion dhe dëshirë të madhe për aktrimin dhe sidomos për zhanrin e humorit. Njëkohësisht Sallaku me të njëjtin pasion iu përkushtua edhe sportit të mundjes klasike, ku fitoi edhe titullin “Kampion Kombëtar”.
Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Fiskulturës ai ndoqi edhe një kurs kualifikimi për akrobat në Cirkun e Pekinit.
Fillimisht nisi punë si profesionist në Estradën e Kufirit, më pas si klloun akrobatik në cirk, duke dhënë një kontribut të papërsëritshëm në ecurinë e këtij profili sa të vështirë aq edhe të bukur.
Aftësitë e tij sportive do t’i shërbenin edhe në skenë, pasi në vitin 1956 ai u emërua si aktori i parë akrobat pranë Teatrit të Estradës dhe Varietesë së Tiranës, duke u bërë pjesë e trupës profesioniste të atij institucioni
Karriera e artistit zgjati për më tepër se gjysmëshekulli, falë aftësive të tij të shkëlqyera plastike, pantomimike  interpretoi role të cilat do të mbeten gjatë në kujtesën e artdashësve dhe si një thesar për trashëgiminë artistike, kryesisht në zhanrin e komedisë. Disa nga interpretimet e tij më të njohura janë në shfaqjet: “Gaz dhe punë”, “Ditari i një bojaxhiu”, “Ekipi”, “Dosja jonë” e shumë e shumë të tjera. Ndërkohë ai luajti edhe në ekranizimin e materialeve komike si në filmat: “Kur hiqen Maskat”, “Estrada në ekran”, etj., ku ai gjithashtu do të tregonte nivele të larta interpretimi.
Skënder Sallaku gjatë karrierës u vlerësua me shumë tituj si: “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit”, “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”, “Urdhri i Punës i Klasit të Dytë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here