Gjykata Federale Kushtetuese tha se partia Die Heimat, që më herët njihej si Partia Nacionale Demokratike e Gjermanisë (NPD), “vazhdon të shpërfillë rendin demokratik dhe sipas qëllimeve të saj dhe veprimeve të anëtarëve dhe mbështetësve të saj, është e orientuar drejt eliminimit të tij”.
Gjykatësja Doris Koenig, që është nënkryetare e Gjykatës Kushtetuese, shpjegoi vendimin e marr në mënyrë unanime, duke thënë se koncepti politik i partisë nuk është në përputhje me garantimin e dinjitetit njerëzor, ashtu siç përcaktohet në Kushtetutën gjermane. Die Heimat ka një koncept të identitetit etnik gjerman dhe përkrah idenë që “komuniteti kombëtar” është i bazuar në prejardhje, tha gjykatësja.
Qeveria gjermane, Dhoma e Ulët dhe e Lartë e Parlamentit dërguan lëndë për këtë parti para gjykatës. Ata paraqitën prova që dëshmojnë se Die Heimat është një organizatë raciste, që ka ideologji antimyslimane dhe antisemitike, dhe kundërshton transgjinorët. Qeveria e ngriti çështjen për ndalimin e financimit të kësaj partie politike nga shteti, pasi dy përpjekje për t’ia ndaluar veprimtarinë kësaj partie dështuan.
Edhe një parti tjetër e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) sipas sondazheve është e dyta sa i përket mbështetjes kombëtare me 23 % shifër shumë e lartë krahasuar me zgjedhjet e fundit federale që u mbajtën në Gjermani më 2021, kur AfD-ja fitoi 10.3 % të votave.
Politikanët kryesorë në Gjermani e kanë diskutuar mundësinë e ndalimit të AfD-së apo përjashtimit të saj nga ndihma financiare shtetërore, por deri më tani asnjë politikan nuk ka bërë hapa serioze në këtë drejtim. Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, e mirëpriti vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Die Heimat, duke thënë se “dërgon mesazh të qartë: shteti ynë demokratik nuk financon armiqtë e Kushtetutës”.