Gjatë luftës Franko-Prusiane/ Rikujtojmë tjetër Shfaqje të Shën Mërisë si “Zojë e Shpresës”

Zoja e Shpresës, është titulli që i është dhënë Virgjëreshës Mari pas shfaqjes së saj në Pontmain, Francë më 17 janar 1871.

Lufta Franko-Prusiane ishte në kulmin e saj dhe në janar 1871, Parisi ishte nën rrethim pasi dy të tretat e vendit ishin pushtuar nga prusianët që përparonin. Shfaqja Zojës së Shpresës ka ndodhur në Pontmain, një fshat me rreth 500 banorë, që shtrihej midis ushtrisë prusiane që po afrohej dhe qytetit Laval. Familja lokale Barbedette përbëhej nga babai César, gruaja e tij, Victoire, dy djemtë e tyre Joseph dhe Eugène, dhjetë e dymbëdhjetë vjeç, dhe një djalë tjetër më i madh që kishte shkuar në ushtri.

Në mbrëmjen e 17 janarit 1871, dy djemtë po ndihmonin të atin e tyre në hambar kur Eugène, shkoi drejt derës për të parë jashtë. Ndërsa vështronte qiellin e mbushur me yje, papritmas pa të shfaqej një grua e bukur që i buzëqeshte; ajo kishte veshur një fustan blu të mbuluar me yje të artë dhe një vello të zezë nën një kurorë të artë.

Babai, vëllai dhe një fqinj i tij dolën për të parë dhe Jozefi tha menjëherë se edhe ai mund ta shihte Zojën, megjithëse të rriturit nuk panë asgjë. Nëna, Victoire, doli por edhe ajo nuk shihte asgjë. Prindërit e djemve nuk mund të shihnin atë që po shihnin fëmijët e tyre atë natë dhe thirrën motrën Vitaline, mësuesen e shkollës lokale. Ajo, si prindërit e djemve, gjithashtu nuk mund ta shihte shfaqjen dhe thirri dy vajza, Françoise Richer dhe Jeanne-Marie Lebosse, respektivisht nëntë dhe njëmbëdhjetë vjeç. Motra Vitalina sugjeroi që ndoshta Zoja ishte e dukshme vetëm për fëmijët. Pa ndonjë njohuri paraprake për shfaqjen, vajzat shikuan në qiellin e natës dhe filluan të përshkruanin vizionin saktësisht me të njëjtat detaje si djemtë Barbedete. Një turmë u mblodh për t’u lutur ndërsa fjala u përhap shpejt mes fshatarëve të shqetësuar. Fëmijët panë Zonjën e bukur dhe të gëzuar e tregonin me gisht. Të rriturit, megjithatë, panë vetëm tre yje që formonin një trekëndësh. Teksa luteshin me Rruzaren, fëmijët panë që yjet e veshjes të shumoheshin derisa ajo ishte pothuajse tërësisht prej ari. Më pas, fëmijët panë një flamur të shpalosur poshtë Zojës. Dalëngadalë u shfaq një mesazh: “Vetëm lutuni, fëmijët e mi. Zoti do t’ju dëgjojë me kohë. Biri im e lejon veten të preket.”
Me të dëgjuar mesazhin e lexuar me zë, turma filloi spontanisht himnin “Nëna e Shpresës”. Ndërsa ata këndonin, Zoja qeshi dhe iu bashkua këngës.
Fëmijët bërtisnin nga gëzimi ndërsa duart e saj mbanin ritmin me muzikën. Kur turma filloi “Jezusi im i ëmbël”, shprehja e saj ndryshoi në trishtim të thellë dhe një kryq i kuq u shfaq në duart e saj, me fjalët “Jezu Krishti” sipër tij. Sytë e saj soditën me pikëllim kryqëzimin gjatë himnit. Ndërsa njerëzit këndonin “Ave Maris Stella”, kryqëzimi u zhduk dhe buzëqeshja e saj u kthye, megjithëse me një prekje melankolie. Dy kryqe të vegjël të bardhë pastaj u shfaqën mbi supet e saj përpara se Zoja të zhdukej pas një reje. Me përfundimin e lutjeve të natës, shfaqja mori fund. Ishte rreth orës nëntë; fenomeni kishte zgjatur rreth tre orë.
Po atë mbrëmje, forcat prusiane në mënyrë të pashpjegueshme braktisën përparimin e tyre.

Gjenerali von Schmidt i Ushtrisë Prusiane, i cili ishte gati të lëvizte në qytetin Laval drejt Pontmain, mori urdhër nga komandanti i tij që të mos e merrte qytetin. Në mbrëmjen e 17 janarit 1871, komandanti i forcave prusiane, pasi kishte zënë banesën e tij në pallatin arkipeshkvnor të Le Mans, i tha Charles-Jean Fillion, peshkopit të asaj dioqeze: “Në këtë kohë trupat e mia janë në Laval”. Në të njëjtën mbrëmje, trupat prusiane para Lavalit u ndalën në orën pesë e gjysmë, rreth kohës kur ndodhi shfaqja e Zojës për herë të parë mbi Pontmain, disa milje larg. Gjenerali Schmidt raportohet të ketë thënë në mëngjesin e datës 18: “Ne nuk mund të shkojmë më larg. Atje, në drejtim të Brittany, ka një ‘Madona’ të padukshme që ndalon rrugën.” Ndalimi i papritur i forcave prusiane përpara Lavalit dhe tërheqja e tyre në mëngjesin e ardhshëm, nënkuptonte, së bashku me shpëtimin e Brittany, kthimin e valës së ushtrisë pushtuese nga ajo pjesë e Francës. Lufta praktikisht ishte në fund. Më 23 janar 1871, u nënshkrua marrëveshja e shumëpritur për armëpushimin. Së shpejti, të tridhjetë e tetë burrat dhe djemtë e rekrutuar u kthyen në shtëpi të padëmtuar.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Zojës së Shpresës së Pontmainit iu lutën me shpresën se ajo do të sillte paqe në Francë. Në Pontmain, bëhej fjalë për një mesazh lutjeje, shumë i thjeshtë në rrethanat dramatike të luftës dhe pushtimit, Maria është një shenjë shprese në mes të luftës.
Joseph Barbadette u bë prift i Kongregatës së Oblateve të Marisë së Papërlyer; vëllai i tij Eugène u bë prift laik. Punonjësja e shtëpisë së tij ishte një nga vajzat që kishte parë shfaqjen me të dhe tjetra, Jeanne-Marie Lebossé, u bënë murgesha.
Pontmain u kthye në vend pelegrinazhi, që tërheq çdo vit rreth 200,000 njerëz të rajonit, pelegrinazhe ndërkombëtare dhe veçanërisht nga Gjermania.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here