Mediat greke raportojnë se policia greke ka shkatërruar një organizatë kriminale që merrej sistematikisht me trafikun e kokainës duke arrestuar 10 persona, 5 grekë dhe 5 shqiptarë, ndërsa 9 të tjerë janë identifikuar si bashkëpunëtorë të tyre. Mes të arrestuarve është edhe një polic në pension, i cili u arrestua në vitin 2020 për grabitje. Për zbërthimin e grupit kriminal u zhvillua operacioni i fundit i organizuar dyditor i policisë, i planifikuar nga Prokuroria e Narkotikëve pranë Drejtorisë së Sigurisë Korfuz. Personat drejtues dyshohet se janë një 38-vjeçar shqiptar dhe një 45-vjeçare, ndaj të cilëve është bërë kallëzim penal për krijimin dhe drejtimin e një organizate kriminale me qëllim trafikimin e kokainës. “Lideri” 38-vjeçar ishte përgjegjës për gjetjen e sasive të kokainës, organizimin dhe delegimin e aksioneve tek anëtarët e tjerë, duke u dhënë atyre udhëzime për trafikun e drogës. Në kuadër të hetimeve të kryera nga policia, iu gjet dhe sekuestrua një pistoletë, sasia prej 5600 euro, një sasi kokaine, 2 makina dhe 8 celularë. Sasia totale e trafikut të kokainës, nga aktiviteti kriminal i grupit gjatë periudhës në shqyrtim, llogaritet të kalojë 1.5 kilogramë, nga të cilat janë sekuestruar 950 gramë, ndërsa përfitimi total financiar llogaritet në 95 mijë euro. Të arrestuarit janë dërguar në Prokurorinë Penale të Korfuzit.