Të vritet Fëmija Mbret/ 14 000 FOSHNJAT E THERURA NGA HERODI

– Kur e pa se tre dijetarët nuk i kthyen përgjigje, se ku ndodhej Fëmija Mbret, të Cilin kishin ardhur ta adhuronin nga Lindja të udhëhequr prej yllit, gjoja që të shkonte edhe ai për t’iu falur, mbreti Herod u dha urdhër ushtarëve të masakronin të gjithë fëmijët meshkuj të qytezës së Betlehemit dhe të krahinës përreth, që ishin më të vegjël se 2 vjeç. Ai kishte shumë frikë nga ky rival, i njohur prej shenjave të jashtëzakonshme dhe i adhuruar prej personaliteteve kaq të mëdha, të ardhur enkas së largu, prandaj urdhëroi të vriteshin viktima të pafajshme, foshnja të lindura pas shfaqjes së parë të yllit, sipas rrëfimit të dijetarëve. Kjo ditë kaq e errët për nënat e fisit të Beniaminit plotësoi profecinë e Jeremisë që thotë: “Zë u dëgjua në Ramah (pra, në territorin e fisit të Beniaminit); vaj dhe gjëmë shumë; Rakela qante djemtë e saj dhe nuk donte të ngushëllohej, sepse nuk janë më” (Matth. 2:18). Në fakt, varri i Rakelës ishte në Betlehem, por që atëherë u duk sikur u ngrit prej varrit për të bashkuar vajtimin e saj me vajtimin e nënave të këtyre viktimave të tiranit, të vrara për Krishtin në vend të Krishtit, frytet e para të luleve të martirëve.
Mbreti barbar u ngrit kundër vullnetit të Perëndisë, duke derdhur gjak të pafajshëm, sepse Josifi, i lajmëruar në ëndërr nga engjëlli, mori me vete Fëmijën dhe nënën e tij dhe iku në Egjipt, para fillimit të kësaj masakre. Ky ishte një prej krimeve të fundit të Herodit. Ndërsa po thurte vrasjen e birit të tij, Antipaterit, që kishte komplotuar kundër tij, mbreti plak u godit nga një sëmundje e çuditshme, në të cilën mbarë bota pa një ndëshkim të Perëndisë. Një zjarr i brendshëm e gllabëronte me lehtësi, zorrët e tij dhe mishrat nisën të kalbeshin, sikur të ishte një kufomë e gjallë, nga e cila dilnin krimba të neveritshëm. Kështu u nis për dënimin e përjetshëm, duke shpërndarë terror deri në frymën e fundit, duke torturuar kundërshtarët e tij dhe duke realizuar dënimin e birit të tij, Antipaterit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here