Në një ditë si kjo dhe pikërisht më 26 Dhjetor 2016 u nda nga jeta aktori i mirënjohur i teatrit dhe kinematografisë shqiptare Bujar Lako.
Karierën si aktor e fillon në Teatrin Kombëtar pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Në fillim të verës” i G. Erebarës dhe “Përballimi” i V. Gjikës. Pas kësaj ai realizon një sërë figurash në rreth tridhjetë filma midis të cilëve mund të përmendim: “Gjeneral gramafoni” V. Gjika, “Udha e shkronjave” V. Prifti, “Ballë per ballë” K. Çashku, P. Milkani, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” dhe “Gurët e shtëpisë sime” Dh. Anagnosti, “Amiko” Cizia Zyke, produksion francez.
Në teatër ka interpretuar rreth shtatëdhjetë role, midis të cilëve veçomë: “Vizita e inspektorit” Xh. Pristli, (Dh. Pecani), `Monserati” E. Robles (P. Mani), “Vdekja e një komisioneri” A. Miler (F. Haxhiraj), “Vdekja e Dantonit” Byhner (V. Milçin), “Ditë vere” Mrozhek, (B. Lako), “Ariu” Çehov (S. Duni) etj. Në vitin 1992 interepreton në Teatrin e Kombësive ne Shkup në produksionin “Varrtarët”.
Në vitin 1975 nderohet me çmimin e veçantë per filmin “Përballimi”. Në vitin 1979 çmimin e veçantë per filmin “Ballë per ballë”. Në festivalin e filmit të vitit 1979 vlerësohet si aktori me i mirë i festivalit dhe nderohet me kupën e festivalit për rolin e Halit Beratit në filmin “Gjeneral gramafoni”.
Në vitin 1979 është lauruar me çmimin e Republikës së shkallës së parë, për filmat “Gjeneral Gramafoni” dhe “Ballë për ballë”.
Në vitin 1982 është nderuar me urdhrin “Naim Frashëri” klasi i parë, për interpretim në teatër.
Në festivalin e filmit të vitit 1991 është shpallur aktori me i mirë per interpretimin e rolit të gjeneralit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur”.
Në vitin 1984 fiton titullin “Artist i Merituar”.
Në vitin 2005 fiton “Palmën e artë” si aktori më i mirë i Festivalit në edicionin e 29 të Cairo International Film Festival me filmin “Syri Magjik” të regjisorit Kujtim Çashku.
Në vitin 2013 iu dha titulli “Nder i Kombit” nga Presidenti i Republikës.