Banka Islamike për Zhvillim braktis UBA, Eurosig mbetet aksioner i vetëm

Banka e Bashkuar e Shqipërisë njofton se kompania Eurosig bëhet aksioneri i vetëm i bankës, pasi ka nënshkruar marrëveshjen për blerjen e kuotave të mbetura të aksionerit të pakicës, Bankës Islamike për Zhvillim (IDB).

Largimi i Bankës Islamike për Zhvillim i hap rrugën edhe një strategjie të re biznesi për UBA. Për sa kohë që IDB ishte aksionere, UBA ishte e detyruar të vepronte sipas parimeve të sistemit bankar islamik. Pas këtij largimi, UBA nuk do të ketë më një detyrim të tillë dhe pritet të zhvillojë produkte standarte tregtare.

Banka nga Arabia Saudite, që mban ende 14.37% të aksioneve në UBA, ka vendosur të dalë përfundimisht nga investimi, në përfundim të një procesi disavjeçar gjatë të cilit Eurosig mori gradualisht kontrollin e bankës, nëpërmjet blerjes së aksioneve të aksionerëve ekzistues dhe nënshkrimit të aksioneve të reja të emetuara nga banka.

 

Sipas njoftimit të UBA, investimi i Eurosig ka për qëllim zhvillimin sistematik, me fokus në segmentin retail, si një pjesë themelore e objektivit për rritje në sektorin bankar.

Kompania shqiptare e sigurimeve Eurosig hyri në strukturën aksionere të bankës në vitin 2019, duke blerë fillimisht një paketë si aksionere pakice, ndërsa e rriti pjesëmarrjen gradualisht, duke zëvendësuar Bankën Islamike për Zhvillim.

Vitin e kaluar, Banka e Bashkuar e Shqipërisë u bë banka e pestë me kapital kontrollues shqiptar, pasi Banka e Shqipërisë miratoi zyrtarisht në muajin gusht marrjen e 51% të aksioneve nga Eurosig. Në nëntor 2022, Eurosig e rriti më tej pjesëmarrjen në Bankën e Bashkuar të Shqipërisë, duke blerë edhe 4.3% të aksioneve prej bankës nga Bahreini Ithmaar Bank. Ndërsa në muajin dhjetor 2022, Eurosig financoi e vetme një rritje kapitali prej tre milionë eurosh, duke e çuar pjesëmarrjen e saj në mbi 66% të aksioneve.

Gjatë këtij viti, Eurosig financoi një rritje të mëtejshme kapitali me shtatë milionë euro, duke e çuar pjesëmarrjen e saj në pothuajse 85% të aksioneve.

Ndërkohë më datë 8 dhjetor të këtij viti, Asambleja e aksionerëve të UBA miratoi një rritje të re kapitali, në vlerën 2 miliardë lekë. Kjo është rritja më e madhe e kapitalit në historinë e bankës. Sipas shifrave të raportuara nga banka, në fund të muajit shtator i gjithë kapitali aksioner neto ishte rreth 1.5 miliardë lekë.

Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të 9-mujorit 2023, UBA zotëronte 0.7% të aktiveve të sektorit bankar shqiptar, për një shumë totale prej 14.4 miliardë lekësh.

Për 9-mujorin 2023, rezultati financiar neto (sipas standardeve lokale të raportimit për qëllime të mbikëqyrjes bankare) ishte negativ në vlerën e 267 milionë lekëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here