Në një ditë si sot dhe pikërisht më 21 dhjetor 1918, në Kamëz, Tiranë, ndërroi jetë Mehmet Frashëri, vëllai i vogël i vëllezërve Frashëri. Mehmeti, djali i Halit Frashërit dhe Emine Mirahorit, lindi më 26 tetor 1856 dhe u martua me Vesime Toptanin. Ata patën 4 fëmijë.
Mehmet Frashëri zë një vend të rëndësishëm në historinë tonë kombëtare, ndonëse kontributet e tij janë më pak të njohura sesa ato të vëllezërve të tij, Abdylit, Naimit dhe Samiut.
Mehmet Frashëri ishte veprimtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe i lëvizjes që kulminoi në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Ai e filloi aktivitetin e tij patriotik që në moshë të re, duke shërbyer si ndërlidhës i patriotëve shqiptarë dhe vëllezërve të tij në Stamboll. Për këtë aktivitet ai u arrestua nga Policia osmane dhe u interrnua në Liban.
Mehmet Frashëri ishte gjithashtu edhe kryeredaktor i gazetës “Besa” që botohej ilegalisht në gjuhën shqipe në Stamboll. Për atë “mëkat” ai arrestohet përsëri dhe internohet në Çanakala.
Së bashku me disa patriotë të tjerë, Mehmeti formoi të parin Komitet për Mbrojtjen e të Drejtave Kombëtare Shqiptare në Bukuresht të Rumanisë. Në vitin 1904 kthehet në Stamboll për të parë vëllain e tij Samiun në shtratin e vdekjes, ku përsëri arrestohet nga policia osmane dhe burgoset në burgun e Samsunit (në kufi me Rusinë) deri në vitin 1910.
Në vitin 1911 ai u kthye në Shqipëri dhe ishte i vetmi nga vëllezërit Frashëri që arriti të përjetojë aktin e madh historik të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Mehmeti ishte i lumtur që nipi i tij Mid’hati ishte firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë dhe që shërbeu edhe si Ministër i Punëve Botore në Qeverinë e Ismail Qemalit.
Mid’hati dhe ungji i tij Mehmeti patën korespondencë deri në vitin 1918, kur ky i fundit mbylli sytë në shtëpinë e tij në Kamëz, Tiranë.