Në një ditë si sot dhe pikërisht më 17 dhjetor 1932, lind në Sarajevë një nga aktoret më të njohura shqiptare, znj. Tinka Kurti.
Me një karrierë e cila shtrihet në 7 dekada me mbi 250 role në teatër dhe mbi 95 në kinematografi.
U lind si e bija e Dedë Kolë Thanit dhe gruas së tij hungareze, Elizabetës që aktorja në fëmijëri e quante Saveta, e cila në rininë e vet ka qenë aktore kryesore në Teatrin Kombëtar të Sarajevës në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Arsimin bazë 7-vjeçar Tinka e mori në Sarajevë dhe kur ishte vetëm 13 vjeç familja e saj u shpërngul për në qytetin e Tiranës ku vazhdoi edhe studimet në Politeknikumin e Tiranës.
Sikurse e thotë shpesh edhe vetë Tinka Kurti, ajo rastësisht u regjistrua për të studiuar në degën e Dramës në Liceun Artistik, por më 1947 u përjashtua me motivacionin “shfaqje të prirjeve liberale” dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe dhe e shumë e kulturuar.
Familja e saj u shpërngul në Shkodër ku ajo kaloi pjesën më të madhe të jetës dhe iu bashkua teatrit në moshë të re duke u ngjitur për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 16 vjeç duke u bërë kështu ndër 10 aktorët që themeluan institucionin e qytetit të Shkodrës dhe nga viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit Migjeni, ku interpretoi rreth 120 role. Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi.
Kurti në kinema nis karrierën e saj duke luajtur rolin protagonist në filmin e parë shqiptar të metrazhit të gjatë, “Tana” më 1958.
Tinka Kurti ka marrë çmime të shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe në ato të teatrit. Ishte çmimi “Aktorja më e mirë e Republikës” dhe kupa e festivalit në Festivalin e parë të Teatrit Shqiptar që e ngjitën aktoren Tinka Kurti në kategorinë e aktorëve profesionistë me rolin në shfaqen “Toka Jonë” me regji të Kol Jakovës.
Në 1994 ajo hyri në Enciklopedinë e Institutit Biografik Amerikan si një nga 5,000 gratë më të shquara në botë dhe madje më 17 Dhjetor 2007 ajo u ftua në Uashington (SHBA) për të vendosur një pllakë mermeri me emrin e saj në këtë Institut.
Dy kinema, një në Tiranë dhe një në Durrës mbajnë emrin e saj. Gjithashtu, emrin e Tinka Kurtit mban edhe një shkollë në fshatin Lekbibaj, në Shqipëri.
Në vitin 2003, regjisori Esat Teliti realizoi një dokumentar të titulluar thjesht “Tinka”, i cili i kushtohej jetës së saj. Ajo është mjaft aktive edhe në ditët e sotme.
Një nga shprehjet e saj emblematike është:
“Nuk e kam frikë plakjen e as vdekjen, por kam frikë nga plakja e trurit, dhe në qoftë se ky moment vjen në jetën time, mendoj se do të isha dy herë e vdekur.
Për këtë arsye dua të vazhdoj të punoj.”
Ajo është vlerësuar me medaljet “Artistja e Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.