Këtë herë trafikantët kanë zgjedhur një sasi të konsiderueshme lënde narkotike për të transportuar një sasi të madhe droge nga Shqipëria në Greqi. Operacioni është kryer nga policia e Selanikut në zonën Dhiavata, në një parking furgoni. Policia greke kontrolloi një automjet, brenda të cilit gjeti 4 bidona plastike me 20 pako me 20 kg 497 gramë marihuanë, ndërsa në një furgon gjeti dhe sekuestroi 7 bidona të tjerë me 32 pako me 33 kg 690 gramë marihuanë.
Janë arrestuar drejtuesi i mjetit 49-vjeçar dhe drejtuesi i furgonit 58-vjeçar, të dy shtetas shqiptarë. Policia greke ka kontrolluar banesën e 49-vjeçarit në zonën Sikeon, ku ka gjetur dhe sekuestruar rreth 259 gramë kokainë, 2350 euro, 8 celularë, 1 motor, 143 gramë lëndë të pacaktuar, 3 peshore elektronike dhe 15 pako farmaceutike. Nga hetimet rezulton se 58-vjeçari kishte rolin e trafikut të drogës nga Shqipëria në Greqi, ndërsa 49-vjeçari kishte rolin e pranimit, ruajtjes dhe shpërndarjes së drogës në Greqi.
Nga verifikimi rezulton se 58-vjeçari shqiptar është person në kërkim në Greqi, i dënuar me 5 vite burg dhe 10 mijë euro gjobë për çështje droge. Që nga fillimi i vitit, policia greke ka sekuestruar rreth 1.4 ton marihuanë, e cila dyshohet se vinte nga Shqipëria.