81 Vjet që na mungon Faik Konica

Në një ditë si sot dhe pikërisht më 15 dhjetor 1942 në Uashington, SHBA, u nda nga jeta një prej mendjeve më të mprehta shqiptare, Faik Konica. Ai ishte propagandues i çështjes kombëtare, studjues i historisë kombëtare dhe i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar.

U lind në Konicë më 15 mars 1875. Në një familje të vjetër feudale, mësimet e para ai i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Më pas hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris. Studimet e plota i kreu në Francë dhe SHBA. Ai mësoi gjithnjë dhe thoshte vetë se ishte një student i përjetshëm.
Faik Konica mbahet si një nga njerëzit më të ditur në kulturën shqiptare të shekullit XX, ku dhe kishte fituar disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonshme. Konica përmendet në historinë e vërtetë të kulturës sonë kombëtare, si krijues i prozës moderne, shkrimtar i talentuar e poet me ndjesi të veçanta, eseist i rrallë, themelues i kritikës letrare shqiptare, publicist, përkthyes, mjeshtër i gjuhës shqipe dhe studiues i gjuhëve të tjera. Në rrethet intelektuale të Parisit, ai njihej si një nga shqiptarët më të kulturuar, zotërues i disa gjuhëve, i papërmbajtshëm në polemikë, kur bëhej fjalë për mbrojtjen e dinjitetit të kombit shqiptar, i gatshëm t’u përgjigjej në çdo gjuhë, atyre që fyenin atdheun, ashtu siç dinte ai vetë.

Faik Konica zhvillon veprimtari të gjerë kulturore, por ai shquhet edhe me veprimtarinë e dendur diplomatike. Ndërsa në fushën e publicistikës që nga viti 1896 angazhohet me tërë qenien e vet për botimin e organeve të ndryshme publicistike, ai paraqitet si një nga themeluesit dhe mjeshtrit e publicistikës shqiptare. Publicistika e Konicës shquhet jo vetëm për problematikën e pasur, por edhe për nivelin e lartë mjeshtëror. Ajo karakterizohet nga patosi atdhetar dhe nga shqetësimi qytetar, siç dallohet edhe për forcën e argumentimit dhe aftësitë e shquara shprehëse. Tipari kryesor i saj është fryma satirike, fryma stigmatizuese dhe mohuese ndaj prapambetjes, injorancës, së keqes.

Kontributi i tij si poet i shquar shihet edhe në faqet e revistës Albania, ku botoi vjershat “Gjuha jonë” , “Flamuri”, “Kushtrimi ose Marsejeza e shqiptarëve”. Të njohura janë edhe vjershat satirike “Anadollaku” dhe lirike “Helena e Trojës”. Ndërsa disa nga prozat artistike që kanë tematikë të kufizuar, por që pasqyrojnë gjendjen shpirtërore të intelektualit atdhetar si dhe mallin për vendlindjen janë: “Një liqen”, “Anës liqenit”, “Bora”, “Malli i mëmëdheut” etj. Sado që me tematikë të kufizuar ato pasqyrojnë tërthorazi gjendjen shpirtërore të një intelektuali atdhetar dhe mallin për vendlindjen. Të shkruara me një gjuhë të bukur e ndjenjë të hollë, me mbresa e detaje të goditura, këto proza mbeten shembuj, në llojin e tyre në letërsinë tone, ku prekin tema të ndjeshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here