Nuk zhgënjejnë kurrë me devotshmërinë e tyre ndaj Partisë Ministrja Spiropali dhe ish-Ministrja Olta Xhacka, të cilat në Kongresin e Partisë Socialiste na kanë habitur pak më shumë se herët e tjera.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me parlamentin Elisa Spiropali deklaroi sot në çelje të Kongresit të jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste se, “Shqipëria ka ngut. Ngut për të jetuar. Ngut për të ndryshuar e ndërtuar. Ngut për t’u përmirësuar e për t’u bërë vendi i duhur për të jetuar e për të punuar”.
“Ngut për t’u bërë Evropa në Ballkan, ngut dhe vullnet për ta parë Ballkanin si shtëpi evropiane. Shqipëria po vrapon për të kapërcyer pengesat dhe vonesat e saj historike. Për të bërë në sa më pak vite atë që vende të tjera e kanë bërë në dhjetëra e qindra vjet, shpesh duke kaluar nëpër rrugë të përgjakshme”, tha Spiropali në fjalën e saj.
“Liria dhe shteti i së drejtës nuk janë akte që realizohen në një ditë natë, as në pak vjet, janë procese që kërkojnë durim, sakrificë dhe vendosmëri, ide hde vizion, përkushtim dhe tolerancë”, theksoi ajo.
“Ne socialistët shqiptarë kemi dëshmuar se dimë të marrim përgjegjësi dhe të jemi përgjegjës për fatet e Shqipërisë. Ky është destini ynë të cilin e ka gdhendur në mermer vullneti i përsëritur i qytetarit shqiptar 8 herë në 9 ballafaqime elektorale të njëpasnjëshme nën drejtimin e Edi Ramës”, tha ajo.
Ndersa, Ish-ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, që është nën hetim nga SPAK, në fjalën e saj në Kongresin e Partisë Socialiste thuri lavde pa fund për mënyrën se si kryeministri Edi Rama ka qeverisur vendin në gjithë këto vite.
“Me erdhi ndërmend një mik quhet Richard Engel, shkrimtar dhe gazetar i njohur që verën e kaluar më bëri një pyetje: Më tha si ka mundësi që deri dje dëgjoja kaq shumë për një Shqipërie të pashpresë dhe sot dëgjoj çdo kënd të flasë me superlativa për Shqipërinë? Cfarë bën ky kryeministri juaj që i magjeps të gjithë? I thashë me shaka që mbath atlete të bardha në samite botërore dhe dallon me shtalartësinë e tij. Përtej shakasë besoj se nuk e teproj nëse them se në politikën e jashtme ka ndodhur në revolucion dhe se kryeministri ynë ka një rol të pazëvendësueshëm si ideator dhe promotor i kësaj qasje të re”, tha Olta Xhaçka.