Sipas Udhëzimit Nr. 23, datë 21 nëntor 2023, të Ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu, me objekt: “Përcaktimi i veprave penale që përbëjnë ndalimin e punësimit në sistemin arsimor para-universitar”, do fillojë pastrimi i çdo punonjësi të dënuar me vendim të formës së prerë.
Në udhëzim, përcaktohen 83 nene të Kodit Penal, që do prekin mësuesit dhe punonjësit e shërbimeve, si metodistë, ndihmës, roje, shoferë, sekretarë e kujdestarë të shkollave dhe punonjës të qendrave ku aktivizohen nxënës të arsimit para-universitar.
Para nxjerrjes së udhëzimit të ministres Ogerta Manastirliu, që është publikuar në Fletoren Zyrtare të datës 1 dhjetor 2023 dhe ka hyrë në fuqi; janë bërë para-përgatitjet për largimin e mësuesve dhe punonjësve të dënuar.
Faza e parë, do jetë vetë-deklarimi i mësuesve e punonjësve të shkollave, pastaj do bëhet verifikimi tyre në bashkëveprim me Ministrinë e Drejtësisë, prokuroritë e gjykatat në prefektura, për të evidentuar ata që janë me njolla penale e vazhdojnë punën në arsim.