78 vite më parë, më datë 2 Dhjetor 1945, Shqipëria e dominuar nga komunistët, hyri në zgjedhjet e para për të përcaktuar sistemin politik që do të qeveriste vendin. Është pikërisht kjo ditë, nga ku e ka origjinën edhe manipulimi i zgjedhjeve, një mallkim që e ndjek Shqipërinë edhe sot. Diktatori Enver Hoxha, u kujdes që menjëherë pas luftës të krijonte mekanizmat e duhur për të ushtruar presion në popull që të mos lejohej vota për asnjë parti apo individ, që mendonte ndryshe nga komunistët.
Nën ndikimin e fuqive aleate, u vendos të bëheshin zgjedhjet, për të cilat Enver Hoxha dhe komunistët e tjerë i premtuan SHBA-së dhe Britanisë se do të ishin “pluraliste, të lira e të kontrolluara dhe nga bota”. Ishin zgjedhjet e para që zhvilloheshin në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore.