Bardhe Krosi nga Kaçinari i Mirditës, martirja që vdiq nga torturat çnjerëzore në burgjet e regjimit mëkatar komunist shqiptar në vitin 1949.
Ishte vetem njëzet vjece kur u arrestua në gusht të 1947-ës.
U akuzua se kishte ndihmuar luftëtarët antikomunistë në male, duke u çuar ushqime e barna. E torturuan me shkopinj e me litar të lagur. I futën vezë të ziera në sqetull, derisa lëkura e njomë iu mbush me flluska djegieje. Çdo ditë, e torturonin me korrent, në të gjitha pjesët e trupit. Duke qenë se ajo nuk u dorëzua para gjithë kësaj egërsie mizore, policia e detyroi të gëlltiste një kilogram kripë dhe nuk i dhanë asnjë pikë ujë, për dy ditë.
Nga goja e saj, nuk doli asnjë fjalë që mund të tregonte se ku fshiheshin patriotët antikomunistë, që luftonin kundër shtypjes. Me një forcë mbinjerëzore,Bardhe Krosi i duroi të gjitha torturat e nuk foli kurrë.Kjo torturë zgjati për 14 muaj në një qeli të ftohtë betoni, derisa ajo mori tuberkulozin. Në pranverë e 1949,Bardhe Krosi vdiq.
Edhe pse u torturua brutalisht, ajo qëndroi kryelartë e me dinjitet, ashtu siç ja donte nderi i familjes e i vendlindjes, Mirditës!