Leo Tolstoy i cili shkroi “Lufta dhe Paqja”, i bëri propozim martese me letër gruas së tij, e cila bëri 13 fëmijë, ishte sekretarja e tij dhe e braktisi pak para se të vdiste. Martesa e Leo dhe Sofia Tolstoit zgjati 48 vite, deri në vdekjen e shkrimtarit. Sipas mikut të tij të ngushtë dhe nxënës i shkrimtarit Vladimir Tsertkof, pavarësisht bashkëjetesës afatgjatë, martesa e tyre ishte një dështim i madh. Gruaja e tij, Sofia, “ishte një shtrigë e cila refuzonte të pranonte veçantitë e burrit të saj gjenial”. Kështu thoshte këshilltari më i afërt i Tolstoit. Në shkrimet e tij u bazuan dhe të gjitha karakterizimet negative që iu atribuan Sofia Tolstoit, pas vdekjes së Leonit. Por Tserktof nuk e dinte se Sophia Tolstoi shkruante shumë dhe mbante ditar nga mosha 16 vjeçare deri një muaj para vdekjes së saj, më 4 Nëntor 1919. Në shkrimet e saj paraqitet si një grua dhe nënë e përkushtuar, e cila bëri sa mundej që të kënaqte dhe ndihmonte burrin e saj, i cili shpesh pësonte kriza depresioni. Martesa. Leo Tolstoi ishte mik i prindërve të saj. Vetëm dy vite e gjysmë më i ri se nëna e saj dhe gjashtëmbëdhjetë vite më i madh nga ajo. Deri më 17 Shtator, 1867, Sofia 18 vjeçare nuk e dinte se Tolstoi e dashuronte. Por atë mëngjes, burri i saj 34-vjeçar i dha një letër duke i kërkuar të martohej me të. Në ditarin e tij, Tolstoi shkroi: “Jam i dashuruar. Nuk mendoja se ishte e mundur të bija në dashuri. Jam i çmendur! Do qëlloj veten nëse vazhdoj kështu. Bënë një festë … është e mrekullueshme si gjithmonë”. Vetëm një javë pas letrës, u bë bashkëshortja e tij. Pas martesës së tyre, Tolstoi i dha ditaret e tij ku regjistronte çdo moment të jetës së përditshme. Donte që gruaja e tij të dinte çdo aspekt të karakterit të tij, në mesin e tyre dhe marrëdhënit seksuale që kishte me mjaft gra dhe djalin që pati me njërën prej tyre. Sofia, para martesës nuk kishte përvojë seksuale, apo as edhe një pamje të përgjithshme të marrëdhënieve seksuale. Marrëdhënia e saj e parë seksuale ishte një përvojë e pakëndshme, si për shumë gra të tjera të kohës së saj. Çifti pati 13 fëmijë, nga të cilët vetëm nëntë mbijetuan derisa arritën moshën madhore. Në kohën e paktë të lirë, Sophia Tolstoy kopjonte dorëshkrimet e burrit të saj, që duheshin dërguar botuesve. Ndonëse i pëlqente veprat e tij, kopjimi ishte një punë shumë e vështirë. Vetëm veprën masive “Lufta dhe Paqja” duhej ta kopjonte shtatë herë. Në vitet e para të martesës së tyre, Sophia e shihte me adhurim burrin e saj më të madh dhe dukej e përgatitur për të toleruar çdo tekë të tij. Tipik ishte përshkrimi i ndienjave të saj më 31 Korrik, 1868: “Qesh kur lexoj ditarin tim. Sa kontraste! Thua se jam gruaja më fatkeqe nga të gjitha gratë. Por kush është më e lumtur? Kur jam vetëm në dhomën time, ndonjëherë qesh nga lumturia dhe bëj kryqin dhe lutem të kemi ende shumë vite të lumtura. Gjithmonë shkruaj në ditarin tim kur grindemi … dhe nuk do të grindeshim nëse nuk do dashuroheshim. Jam e martuar këtu dhe gjashtë vite dhe ende e dua me të njëjtën çmenduri, të njëjtin pasion, të njëjtën xhelozi”. Por në ditarin e saj zbulonte disa fiksime të Tolstoit që vështirë justifikoheshin, si këmbëngulja e tij për t’i dhënë gji të 13 fëmijëve e njëjta, edhe pse procesi shkaktonte dhimbje të jashtëzakonshme fizike. Në shumë letra, Tolstoi dukej të njihte sakrificat e gruas së tij, duke shkruar: “I dhe mua dhe botës, atë që kishe për të dhënë”. Por këto lëvdata filluan të pakësoheshin ndërkohë që kalonin vitet. Shkrimtari nuk ishte kurrë baba shumë i dashur dhe interesi për familjen e tij pakësohej, teksa rriteshin shqetësimet e tij filozofike. Edhe pse u rrit në një familje të pasur, vetë tregonte mospërfillje për pasurinë dhe dobësi të madhe për muzhikët e varfër, dhe fshatarët rusë. Megjithatë, teksa rritej fiksimi i tij ndaj asketizmit, arriti kufijtë e fanatizmit. U ndikua nga Schopenhauer, Krishtërimi, Budizmi dhe trazirat sociale të kohës, me rezultat të ndjekë një mënyrë jetese tepër asketike. Edhe pse ferma e tij, 300 kilometra jashtë Moskës, nuk mund të përshkruhej kurrë si luksoze, Tolstoi besonte se ai dhe familja e tij gëzonin shumë rehati të tepruara. Në fund të jetës së tij, zakonisht thoshte se do ta gëzonte t’ua jepte gjithë pasurinë e tij të varfërve. Sophia, e cila e dinte se burri i saj asketik nuk bënte shaka, filloi ta vëzhgonte nga afër, e bindur se do të ndryshonte testamentin e tij dhe do linte fëmijët e tyre të pambrojtur. Tolstoi u bë si i tërbuar kur e kapi duke kërkuar dokumentet e tij në zyrën e tij dhe e akuzoi se po bëhej paranojake. Fundi. Më 28 Tetor 1910, Tolstoi u largua fshehurazi nga shtëpia, i shoqëruar vetëm nga mjeku i tij personal. Nuk i tha gruas së tij se do të ikte as edhe destinacionin e tij, sepse Sophia reagonte ndaj çdo lëvizje të tij me dyshim. Zhvillimet e justifikuan qëndrimin e saj … I la vetëm një shënim, ku shkruante se nuk mund të duronte më të jetonte në kushte aq luksoze. Ndërroi jetë dhjetë ditë më vonë në stacionin hekurudhor të Astapov. Ishte 82 vjeç dhe vuante nga pneumonia. Sophia u përpoq ta shihte tri ditë para vdekjes së tij, por nxënësit e tij nuk e lanë të hynte në dhomë. Kryevepra më e madhe e Leo Tolstoit ishte padyshim “Lufta dhe Paqja”, e cila mbetet lartë në preferencat e lexuesve, madje edhe një shekull pas vdekjes së shkrimtarit.