Në një ditë si sot dhe pikërisht më 26 nëntor 1912, Hafiz Ali Podgorica ngriti flamurin kombëtar në Durrës. Në postin kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Podgorica pati një angazhim domethënës në periudhën që i paraprin shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. “Flamuri kombëtar shqiptar u ngrit me brohoritje. Mytesarifi u pushua. Hamid bej Toptani u emërua guvernator provizor. Mitropoliti refuzon ta njohë administratën lokale. Trupat mbrojtëse të prapavijës së qytetit u liruan. Paria e vendit u doli serbëve përpara. Ata janë nisur prej Kruje.”, njoftohej në radiotelegramin shifër të nënkonsullit, Rudnay drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme britanike. Dy ditë më pas, në Kuvendin e Vlorës morën pjesë si delegatë të Durrësit Dom Nikollë Kaçorri, Abaz Celkupa, Mustafa Hanxhiu dhe Jahja Ballhysa, të cilët nënshkruan edhe dokumentin historik Pavarësisë.