Një kirurg 40-vjeçar me origjinë nga Shqipëria është dënuar nga Gjykata e Monzës në Itali. Ai akuzohet për ngacmim seksual dhe është dënuar me 20 muaj burg.
Shqiptari me inicialet GR u gjykua për ngjarjen e ndodhur në vitin 2019, kur një vajzë po shoqëronte të dashurin e saj në urgjencë. Ngjarja ka ndodhur në klinikën ‘Zucchi’ ku në atë moment punonte mjeku. Sipas prokurorit të Monzës, vajza kishte shoqëruar në urgjencë të dashurin e saj, i cili kishte dhimbje fyti. Gjatë pritjes, e reja e kishte pyetur mjekun se ku mund të shkonte për të pirë duhan dhe ai e kishte shoqëruar në një dhomë, ku i kishte prekur kërthizën duke folur.
E reja ia ka treguar episodin të dashurit të saj dhe, para se të dilnin nga urgjenca, kanë shkuar te mjeku, duke e sharë dhe regjistruar bisedën në të cilën ai ka mohuar ngacmimin. Denoncimi është bërë nga e reja, e cila nuk ka marrë pjesë në një proces civil për shpërblimin e dëmit, por ka konfirmuar akuzat në gjykim. I akuzuari pohoi se nuk lejohej pirja e duhanit brenda në klinikë dhe vajza u kap duke bërë një gjë të tillë dhe u kërkua të largohej.