Lamtumirë Zef Deda…!

Një ndër komedianët më të mirë të Shqipërisë, Zef Deda është ndarë nga jeta sot në moshën 73-vjeçare nga një sëmundje e rëndë, por buzëqeshja e tij do mbetet e paharruar.

Për thuajse 4 dekada iu përkushtua skenës teatrale, në qytetin e tij të lindjes në Shkodër. E ndonëse u shkollua në politeknikumin e ndërtimit në Tiranë, lidhja me skenën, me televizionin dhe publikun e Shqipërisë ishte aq e fortë, sa asnjë nga ngjarjet që shënjuan jetën e këtij artisti, nuk do të ndikonte në këtë marrëdhënie.

Artisti që rrallë tregonte se gjatë diktaturës kishte vuajtur jo vetëm presionet, por edhe deri shtrimin në spitalet psikiatrike të kohës së torturave, komediani që rrallë tregoi se shkoi në emigrim për një jetë më të mirë, u rikthente gjithnjë me buzëqeshje te publiku i tij.

I njohur për rolet e tij e kryesisht si kunati i shokut Xhemal, apo për plastikën e jashtëzakonshme të një aktori shqiptar, Zef Deda mbetet në kujtesën e shqiptarëve si një ndër artistët e rrallë të skenës që la një pasuri të madhe, po aq edhe shpirtin artistike që përcolli te dy djemtë, Julin dhe Marion, të dy artistë të njohur në vend.

Dyzet vite në teatër dhe në botën e spektaklit e mbajnë të paharruar portretin e Zef Dedës që na dhuroi aq shumë buzëqeshje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here